Rama me Mogherinin: Copëtimi i Kosovës gënjeshtër e marrëzi

  • 08 May 2019 - 20:04
Rama me Mogherinin: Copëtimi i Kosovës gënjeshtër e marrëzi

Kryeministri Edi Rama dhe shefja e diplomacisë së BE, Federica Mogherini që ndodhet në Tiranë kanë dhënë një konference të përbashkët për mediat pas takimit mes tyre.

Ata u pyetën për dy temat më të nxehta që është kriza politike në Shqipëri dhe çështja e kufijve mes Kosovës e Serbisë.

Mogherini në fjalën e saj tha se “unë asnjëherë nuk hyj në negociata mes partive politike brenda vendeve aspirante për në BE.

“S’kam bërë negociata as në 2017 as këtu por në vende tjera. Kjo nuk është qasja jonë. Dialogu dhe zgjidhja është e rëndësishme të vijë nga brenda (Shqipëria)”, tha ajo.

“Sa i përket ngecjes së dialogut Beograd-Prishtinë mund të them se muajt e fundit kanë qenë të vështirë. Kosova me vendosjen e taksës është shkelje të marrëveshjeve që vete ka nënshkruar. Ne kemi kërkuar të hiqen tarifat doganore dhe dialogu do rifillonte. Në mungesë të këtij mjedisi siç e thashë me parë, dialogu mbetet ende i vështirë”.

Ndërkohë Edi Rama i është përgjigjur, se sa i përket çështjeve të brendshme “nuk shoh askënd që të shqetësohet si në 2017. Ç’ka ka ndodhur nuk do thotë se s’është shqetësuese, por e tejkalon kornizën demokratike. 2017 ishte maksimumi që mund të bëjë një mazhorancë. Tani ata kanë vendosur të dalin nga sistemi dhe s’ka shans të terheqim dhe të tjerët nga pas”.

Sa i përket tezës për ndryshimin e kufijve të Kosovës, Rama tha se çfarë është folur deri tani është gënjeshtër e pabesueshme.

“Ndërsa sa i përket komplotit për të copëtuar Kosovën dhe për të krijuar një hartë të re të botës, mund te them se pa dalë facebook-u budallain e njihte vetëm shpia e vet ndërsa tani e njohin të gjithë. Ka një shprehje që thotë nëse do që gënjeshtrën tënde do ta besojnë të gjithë, bëjë të pabesueshme. Kështu duke përfituar nga facebook dhe media online është mundësia për të torollisur gjithë dynjanë me budallaqe të rrezikshme. Dua të them nëse gjenden kaq shumë budallenj që të besojnë se një proces që përfshin shtetet, parpamentet e botës dhe në fund shkon në referendum të mund të merret fshehurazi, atëherë kjo botë ka marrë fund. Çdo shqiptar e kupton se është e gjitha gënjeshtër e pabesueshme që mund të blihet në territorin e marrëzisë online”.

(Kosova Sot Online)