Tahiri: Viti 2019 është viti i jetësimit të reformave shtetërore

  • 13 May 2019 - 16:02
Tahiri: Viti 2019 është viti i jetësimit të reformave shtetërore

Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri ka thënë se viti 2019 në Kosovë do të jetë vit i jetësimit të reformave shtetërore.

Në takimin e Këshillit të Ministrave për Reformën e Administratës Publike, ai ka njoftuar Këshillin e Ministrave për hapat e ndërmarrë për Ligjin e Qeverisë dhe Reformat në fushën e inspektimeve.

“Ky mekanizëm ka rol kyç në koordinimin ndërministror për të shtyrë përpara reformat në proces dhe zbatimin efikas të proceseve reformuese të ndërmarra deri më tani. Për ta përmbyllur reformën e Administratës Publike në dinamikë të shpejtë do të miratohet Projektligji për Qeverinë, që për synim ka ta kthej ekzekutivin në një mekanizëm efikas të zbatimit të legjislacionit dhe detyrave integruese”, ka shkruar Tahiri në facebook, transmeton Express.

Ai ka cekur dy synime kyçe: forcimi i qeverisjes së mirë dhe sundimi i ligjit në njërën anë, “ndërsa në anën tjetër, përmes Projektligjit për Inspektimet dhe ligjeve tjera sektoriale, synohet të përmirësohet radikalisht konkurrueshmëria dhe klima e investimeve”.

Tahiri ka thënë se në kuadër të agjendës së reformave, rol kyç luan mbështetja për nivelin lokal si mekanizëm i veçantë për zhvillim të qëndrueshëm dhe përshpejtim të integrimit.

“Në këtë kuadër, Qeveria synon të forcojë koordinimin me partnerët zhvillimorë në ndjekjen e agjendës së reformave për vendin”, ka shkruar Tahiri.

Përkundër sfidave, ai tregoi se reformat e ndërmarra kanë marrë konfirmimin e qartë për rezultatet e arritura, vlerësime këto që i hapin rrugë procesit integrues.

“Këto rezultate inkurajuese janë indikatorë të rëndësishëm për ta avancuar edhe më tutje dinamikën e reformave shtetërore”, është shprehur ai.

(Kosova Sot Online)