Hoti: Sot u vërtetua që Presidenti mashtroi për Samitin e Berlinit

  • 13 May 2019 - 22:33
Hoti: Sot u vërtetua që Presidenti mashtroi për Samitin e Berlinit

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, e ka akuzuar për mashtrim presidentin e vendit, Hashim Thaçi.

Nëpërmjet një shkrimi të publikuar në llogarinë e tij zyrtare, në rrjetin social Facebook, në internet, Hoti ka thënë se Thaçi ka mashtruar rreth Samitit të Berlinit, i mbajtur javë më parë.

Hoti i është referuar një lajmi të publikuar nga mediat, me titullin “Gjermania demanton presidentin: Samiti i Berlinit ishte organizuar në koordinim të plotë me SHBA-në”.

Një zyrtar gjerman i ka thënë se ata për çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën dhe Serbinë, kanë një komunikim dhe bashkëpunim konstant me Shtëpinë e Bardhë, duke hedhur poshtë pretendimet e Thaçit se në Berlin nuk kishte koordinim gjermano-amerikan.

“Institucione kredibile te shteteve mike, qe kane ndikim ne te tashmen dhe te ardhmen e Kosoves, deshmuan sot se pohimet e Presidentit te Kosoves se “SHBA nuk ishte e perfshire ne Samitin e Berlinit” jane te pavërteta”, është shprehur Hoti.

“Rrjedhimisht, keto deklarime te Presidentit jane mashtrim i opinionit”, ka thënë ai.

“Me veprimet e tij tash e sa kohe, Presidenti po vepron ne kundershtim te plote me detyrat e tij kushtetuese dhe me interesat e vendit”, ka vlerësuar shefi i deputetëve të LDK’së.

(Kosova Sot Online)