Si i mashtruan 400 persona me “seminare pasurimi”, kush janë dy kosovarët që u ekstraduan nga Interpoli. E shkuara dhe fitimet

  • 15 May 2019 - 08:41
 Si i mashtruan 400 persona me “seminare pasurimi”, kush janë dy kosovarët që u ekstraduan nga Interpoli. E shkuara dhe fitimet

Interpol Tirana bëri të ditur sot se ka ekstraduar nga Kosova, 40 vjeçarin, Burim Haixholli, i cili është dënuar në Shqipëri me 13 vite burg, për veprën penale të mashtrimit të 400 personave.

Në bashkëpunim me Haxhiollin është dënuar dhe shtetasi tjetër kosovar, Valon Kyçyku, 43 vjeç me origjinë nga Prizreni. Të dy shtetasit kosovar u arrestuan në vitin 2010 për ngritjen e një skeme piramidale.

Gjatë operacionit që u kodua “Rruga pa sukses”, forcat e Policisë së Tiranës arrestuan më 6 maj të vitit 2010, Valon Kyçykun dhe Burim Haxhiollin. Në prill të vitit 2018, i shpallur në kërkim, Valon Kyçyku është ekstraduar nga Hungaria në vendin tonë. Ndërkohë që sot, Burim Haxhiolli është ekstraduar nga Kosova.

Mashtrimi

Këta të dy persona, për muaj me radhë, kishin arritur të ngrinin një strukturë piramidale në Tiranë, duke mundur që të mashtronin rreth 400 persona, nga të cilët dyshohet se kanë përfituar afro 500 mijë euro.

Operacioni për arrestimin e tyre u zhvillua gjatë orëve të natës, nga strukturat e Drejtorisë Kundër Krimit Financiar dhe njësisë Task-Forcë të Prokurorisë së Tiranës. Burimet thanë në atë kohë se Kyçyku dhe Haxhiolli u vunë në pranga në ambientet e një salle, pranë një kompleksi te Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, teksa u jepnin leksione 100 personave që kishin mashtruar.

Nga të mashtruarit, 50 persona sapo kishin derdhur në llogarinë bankare, të hapur në emër të shoqërive të kosovarëve, “Euro Life Dooel” dhe “Gem Colection”, shumën prej rreth 2290 eurosh secili.

SKEMA E MASHTRIMIT

Dy kosovarët Valon Kyçyku dhe Burim Haxhiolli, të cilët pretendonin se administronin dy shoqëri private, “Euro Life Dooel” dhe “Gem Colection”, prej disa muajsh kishin ngritur në Tiranë një skemë piramidale mashtrimi. Vetëm njëra nga shoqëritë, ajo me emër “Euro Life Dooel”, rezultonte e regjistruar me seli në Qipro dhe filial në Shkup të Maqedonisë, ndërsa tjetra dyshohej të ishte fiktive.

Administratorët kishin hapur një numër llogarie në emër të shoqërisë reale, në filialet e një banke të njohur, që kishte degë në Tiranë, Kosovë dhe Maqedoni. Në këtë mënyrë ata e kishin bërë mjaft të besueshme veprimtarinë e tyre, duke arritur që të fusin në “kurth” rreth 400 persona në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Personat që rekrutonin, sipas Policisë, ishin punëtorë ndërtimi, marangozë, hidraulikë, të cilët janë joshur nga ideja e pasurimit të shpejtë, nga leksionet e biznesit që u jepnin dy kosovarët.

Por nga ana tjetër, mes të mashtruarve kishte edhe biznesmenë e gazetarë. Valon Kyçyku dhe Burim Haxhiolli u kërkonin këtyre personave të paguanin nga 2330 euro për t’u anëtarësuar në shoqërinë e tyre. Por që të pasuroheshin duke marrë përqindje të majme, ata duhej që të rekrutonin secili nga tre persona të tjerë, të cilët po ashtu duhet të derdhnin në llogarinë bankare shumën e caktuar.

(Kosova Sot Online)