Dje tha se foton e ka publikuar me leje të familjes, sot pohoi se nuk e ka verifikuar

  • 17 May 2019 - 14:49
Dje tha se foton e ka publikuar me leje të familjes, sot pohoi se nuk e ka verifikuar

Kritikave të shumta pas publikimit të fotografisë ku shihej se tre persona po e dhunonin një grua, deputetja e PDK-së, Flora Brovina iu përgjigj se për këtë kishte marrë lejen e familjes. Por, sot deputetja pasi që për këtë deklaroi para prokurorisë foli ndryshe

Flora Brovina zgjodhi dje hollin e Kuvendit që të shpaloste një fotografi me pamje të rënda, ku sipas saj shihej një vajzë që atëherë kishte qenë 35-vjecare e që ishte dhunuar në luftën e fundit.

Brovina historinë e vazhdoi duke thënë se atë foto e kishte marrë nga një aparat i një ish-ushtari serb që kishte qenë pjesë e dhunimit e që kishte vdekur në luftë. Deputetja do të rrëfente se për të njëjtën histori ajo e njihte personalisht gruan që shihet në foto e edhe familjen e saj.

“Krejt kjo ngjarje ka ndodhur para syve të familjarëve, janë këta personat që shihen mbrapa në foto familja e saj”, tha Brovina para mediave.

Pas kritikave të mëdha që mori për publikimin e pamjeve të rënda, deputeja do të arsyetohej se këtë e kishte bërë me vullnetin e familjes, pasi që ata i kishte kontaktuar paraprakisht para se të vendoste që ta bënte publike. Për ta arritur efektin e duhur, ajo shtoi se e zgjodhi Kuvendin.

Por, krejt këto deklarata deputetja i hodhi poshtë pas intervistimit nga Prokuroria Speciale.

Duke kërkuar falje, Brovina do të deklaronte se nuk e kishte verifikuar mjaftueshëm fotografinë, e se për këtë i vinte shumë keq. Mirëpo, pse kishte thënë Brovina se e njihte familjen e vajzës që shihet në foto.

Kësaj here, deputetja tha se nuk e kishte pasur fjalën për familjen e vajzës në foto, por, të vajzës 7-vjecare që e publikoi në Kuvend (fotografia tjetër).

Brovina ra ndesh sot me deklaratat e saj, njëherë duke thënë se e njeh personalisht familjen, pastaj duke shtuar se kishte marrë leje nga nëna dhe tash 50-vjecarja, e sot, duke thënë se ato deklarata i kishte pasur për një viktimë tjetër.

(Kosova Sot Online)