Mjeku francez akuzohet për helmim të pacientëve për t’i “shpëtuar” ata më vonë

  • 17 May 2019 - 16:23
Mjeku francez akuzohet për helmim të pacientëve për t’i “shpëtuar” ata më vonë

Një mjek francez është akuzuar se iu ka dhënë pacientëve injeksione helmuese për ta nxitur sulmin në zemër me qëllim që më vonë të duket si hero duke i shpëtuar ata. Prokurorët thonë se ai ka dështuar në disa raste dhe se shtatë persona kanë vdekur si rezultat i këtyre veprimeve të tij.

Hetuezit francezë e lidhin mjekun Frederic Pechier me helmimin e 24 pacientëve të moshës 4 deri 80 vjeçare nga viti 2008 deri në vitin 2016 në dy klinika të qytetit lindor të Besançonit.

Të premten, Pechier, i cili i ka mohuar të gjitha akuzat, u lirua me kusht pasi bëri ankesë ndaj vendimit për mbajtje në paraburgim deri në paraqitjen në gjykatë. Avokatët e tij thanë se ky vendim dëshmon zgjuarsi, moderim dhe objektivizëm.

Pechier akuzohet për helmim të pacientëve me klorur të kaliumit përmes injeksioneve gjatë operacioneve të tyre. Ndaj tij zyrtarisht ishin hapur hetime për shtatë raste të helmimit në vitin 2017. Përndryshe, 17 raste tjera u shtuan gjatë një seance gjyqësore që u mbajt të enjten.

Prokurori publik, Etienne Manteaux, ka bërë thirrje që mjeku i dyshuar të mbahet në paraburgim. Ai tha se hetuesit i kanë shqyrtuar më shumë se 66 raste serioze të helmimit. Më saktësisht, zyrtarët janë marrë me hetimin e rasteve të sulmeve në zemër në operacionet me rrezikshmëri të ulët.

Autoritetet shëndetësore të Francës po e cilësojnë këtë rast si ngjarje serioze dhe të padëshirueshme, e cila nuk është pritur të ndodhë, duke pasur parasysh gjendjen shëndetësore dhe patologjike të pacientëve, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)