Ish-Presidenti rrëfen njohjen me Fatos Nanon: Liberal deri në shthurje. Nuk i ndahej Rexhinës deri sa…

  • 17 May 2019 - 20:11
Ish-Presidenti rrëfen njohjen me Fatos Nanon: Liberal deri në shthurje. Nuk i ndahej Rexhinës deri sa…

Për Bamir Topin është e rëndësishme që gjithkush të thotë të vërtetën e tij. Si dëshmitar i disa prej ngjarjeve më të rëndësishme në politikën e pas viteve ’90, ish-Presidenti i Republikës, ka shumë për të treguar.

Në librin e tij “Nocturn: Kur arsyeja errësohet nga pushteti”, botim i “UET Press” ai rrëfen jetën e tij, që nga fëmijëria, studimet, puna shkencore, hyrja në politikë, duke arritur të ngjitet deri në numrin një të shtetit.
Po ashtu ai rrëfen për raportet personale me liderët politikë të 3 dekadave demokraci, që nga Ramiz Alia te Sali Berisha, Fatos Nano, Edi Rama, Ilir Meta etj..

Për Fatos Nanon, ish-presidenti thekson se pushteti i tij ishte liberal deri në shthurje, kjo sipas Topit e çoi dhe deri në largimin nga pushteti.

Për Fatos Nanon

Fatos Nano është njohur prej meje rreth 50 vite më parë, kur në rrugicën e shtëpisë sime “Zenel Baboçi” kalonte çdo mëngjes për të shkuar në gjimnazin “Sami Frashëri”. Bënte përshtypje, sepse nuk ndahej nga personi që më vonë do të bëhej bashkëshortja, Rexhina. Fatosi pa dyshim vinte nga një familje qytetare e intelektuale, me kërkesa të larta për rininë e viteve ’70.

Nga afër e kam njohur në Parlamentin e Shqipërisë, ku ndonëse herë pas here debati politik mund të ashpërsohej, klima e marrëdhënieve midis nesh mbeti tolerante. Pushteti i tij ishte liberal deri në shthurje, që e largoi nga pushteti në vitin 2005.

Bashkëpunimi dhe ndihma e tij në çastin e zgjedhjes sime si president konfirmoi bindjen se, pavarësisht krahëve të ndryshëm në politikë, Fatos Nano mbetet një politikan qytetar, jo inatçor, me kontribute për demokracinë shqiptare.

Nëse natyrës së tij tolerante do t’i bashkëngjitej vullneti për punë, rezultatet e tij do të ishin tepër të vlerësuara.

Kam përshtypjen që figurën e tij, sidomos pas daljes nga burgu, e shfrytëzuan një tufë karrieristësh dhe pa moral, që e shitën atë shumë shpejt dhe sot ata janë njerëz të rëndësishëm.

(Kosova Sot Online)