Njerëzit e UDB-së të instaluar në të gjitha shtyllat e shtetit

  • 19 May 2019 - 15:06
Njerëzit e UDB-së të instaluar në të gjitha shtyllat e shtetit

Analisti politik Bislim Aliu, është shprehur shumë kritik për mungesën e vullnetit dhe guximit politik,  të shkëputjes së  institucioneve demokratike të Kosovës, nga e kaluara komuniste e regjimit të kaluar dhe nga lidhjet me ish shërbimin sekret të UDB-së, për individët që akoma në mënyrë ilegale  ruajnë ato lidhje, edhe duke qenë në pozita drejtuese të institucioneve të shtetit. Këtë veprim është dashur ta bëjë Kuvendi i Kosovës më nxjerrjen e ligjit për hapjen e dosjeve të UDB-së, por nuk e kanë bërë akoma as nuk ka sinjale që do të mundë ta bëjnë së shpejti.

Image
Bislim Aliu

“Gjithsesi në të gjitha legjislaturat e deritanishme, edhe në këtë legjislaturën e gjashtë të Kuvendit të Kosovës, është duke u hezituar, që të hapen dosjet dhe, përfundimisht të dihen se kush kanë qenë bashkëpunëtorët e UDB-së në Kosovë, prandaj gjer më tani, ato asnjëherë nuk u hapen dhe shihet që nuk do të hapen. Kjo na bënë të kemi një  pikëpyetje të madhe:   pse a thua, që edhe më tej duhen të mos dihen , se kush kanë qenë, ata që kanë raportuar për shërbimin sekret serb dhe në favor të kujt po shkon fshehja e këtyre emrave dhe veprave kriminale të tyre. Unë mendoj që kjo nuk duhet të tolerohet më shumë sepse është e dëmshme për shtetin dhe demokracinë e re Kosovare”, tha Aliu për “Kosova Sot Online”.

Sido qoftë ai është i sigurtë se derisa të ketë  mbetje të tilla në institucionet e shtetit, do ta kenë ndikimin e tyre dhe nuk do ta lejojnë hapjen e dosjeve. Për këtë, ka njerëz e spiunë të UDB-së dhe familjarë të tyre në të gjitha institucionet, qëllimshëm të instaluar në të trija shtyllat e pushtetit dhe në të dy nivelet e shtetit.

Andaj spiunët për bashkëpunimin e vet, me lehtësi dhe pa meritë  u sistemuan në pozita kyçe, bile edhe të larta, në të gjitha fushat dhe segmentet më vitale, të pushtetit dhe shtetit; në Qeveri e Administratë publike, në Legjislativ dhe rreth tij, në Drejtësinë kosovare - në gjyqësor e prokurori, në polici, por besa edhe në media, në televizione, në gazeta e në portale, prandaj ndikimi i tyre për ti mbajtur dosjet e mbyllura është akoma shumë i madh”, tha Bislim Aliu në një prononcim për “Kosova Sot Online”. 

Sipas tij ndikimi në parti politike është aq i madh sa që  për njerëzit e UDB-së askush asnjëherë nuk ka folur edhe kur ka pasur fushata zgjedhore, sepse po të fillonin të flisnin, do të dekonspiroheshin  që të gjitha lidhje dhe në të gjitha partitë politike.

(Kosova Sot Online )