Denoncon Preteni: Politikanët në garë se kush po prodhon skandale më të mëdha, gjyqësori katastrofal... 

  • 20 May 2019 - 07:35
Denoncon Preteni: Politikanët në garë se kush po prodhon skandale më të mëdha, gjyqësori katastrofal... 

Edhe pse e ka mirëpritur si pozitiv, adresimin nga Ambasada Amerikane në Prishtinë dhe shqetësimin për nivelin e krimit e korrupsionit në Kosovë, për individët që pritet të izolohen si njerëz të korruptuar dhe të ju pamundësohet lëvizja për në SHBA, ish kreu i AKK-së ,Hasan Preteni, nuk është shumë optimistë në efektin e kësaj deklarate të ambasadës amerikane, derisa drejtësia është në pikën zero.

Image
Hasan Preteni

Po e them figurativisht: “ Beni nuk ecën vetëm”, prandaj është tragjiko-komike kjo situata e tanishme. Njerëz të prirë vetëm për të këqija dhe skandale. Po e harxhojnë buxhetin pa kurrfarë kriteri dhe veprojnë jo ligjshëm në çdo fushë. Skandalet nuk kanë të ndalur, dy pushtetet, legjislativi dhe ekzekutivi të shfrenuar në garën se kush po vepron më keq, kurse gjyqësori vetëm një vëzhgues neutral i anatemuar dhe i vetë kënaqur se kanë shumë buxhet dhe aspak punë”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, deri më tani ka qenë praktikë e shteteve, sponzorizuese, të pavarësisë se nuk do ti përkrahin ata që e shkelin ligjin, tani me këtë gjyqësor katastrofal ata do ti “ sanksionojnë” edhe ata të dyshuarit. “Asnjë proces gjyqësor nuk përfundon në afatet ligjore, asnjë rast i potencuar në reagimin e Ambasadës Amerikane nuk e ka marrë dhe nuk do të merr veridiktin gjyqësor. Është veprim shumë i drejtë por shumë dëshpërues për gjyqësorin. Do të uroja që një “ bllokadë” e tillë të vjen edhe për komplet menaxhmentin e pushtetit të tretë, të bllokohen deri në detyrim për dorëheqje e gjithë nomenklaturës politike, të bllokohen të gjithë ata që janë më gjatë se tetë vite në pushtet. Lufta në mes krerëve institucional duhet të bartet nga televizionet e portalet në gjykatoret e boshatisura”, tha Hasan Preteni për “Kosova Sot Online”.

Fatkeqësisht, sipas Pretenit, e gjithë shpresa qytetare është te miqtë ndërkombëtar sepse politika dhe institucionet e drejtësisë nuk veprojnë sipas ligjit.

“Politikanët tanë janë duke bërë garë se cili po prodhon skandale më të mëdha, kush po shpërndanë më shume dekorata e mirënjohje, kush po punëson më shume militantë dhe kush po dominon me gafa analfabetike e primitive. Në baza ditore, krerët e institucioneve qendrore publikojnë informata për përfshirjen e palës tjetër me skandale të pamoralshme dhe antiligjore. Akuzohen në mes veti për taksen,për numrin e veteranëve, për takime të fshehta nëpër shtëpitë private, për shpenzim enorme,për pasurime joligjore dhe për shume veprime konspirative në dëm të shtetit . E shteti është duke u përdorur vetëm për pushtet”,theksoi Preteni për “Kosova Sot Online”.

Madje ai thotë se akuza ka të shumta, e gjyqësori po hesht dhe kjo po sjell një depresion të përgjithshëm. “Prandaj e vetmja shpresë mbetet reagimi ndërkombëtar. Ndërkombëtaret po na i seleksionojnë kuadrot, ndërkombëtarët po na sigurojnë fonde, ndërkombëtaret po na trajnojnë dhe po tentojnë të na edukojnë, ndërkombëtaret po na përkujtojnë se kemi edhe gjyqësor. Gjithçka po fillon dhe mbaron me ta”, tha Hasan Preteni për “Kosova Sot Online”, Sipas tij asnjë veprim pozitiv në këto dy dekada nuk është shënuar e që është prodhim vendor.

(Kosova Sot Online )