“Do ta vras magjistaren”, çfarë shkruante nusja para helmimit të vjehrrës. Dëshmia e djalit: Dyshova sepse…

  • 21 May 2019 - 10:14
“Do ta vras magjistaren”, çfarë shkruante nusja para helmimit të vjehrrës. Dëshmia e djalit: Dyshova sepse…

Me një buzëqeshje ironike në fytyrë, Marjana Çmeta dëgjoi dje dëshminë e ish-bashkëshortit të saj, Oltion Lamit, i cili rrëfeu para Gjykatës vrasjen e mamasë së tij, Lirie Lami.

Për vrasjen e kësaj të fundit, Prokuroria ka marrë të pandehur Çmetën, e cila akuzohet se e ka helmuar vjehrrën me fostoksinë dhe më pas e ka dhunuar atë.

E ndërsa Prokuroria e ka mbështetur akuzën në një video, ku e reja pranon para një hoxhe vrasjen dhe tregon se si e ka bërë krimin, gjatë hetimeve Marjana Çmeta ka mbajtur qëndrim mohues.

Ndërkohë, gjatë seancës së djeshme, Oltion Lami tregoi se marrëdhëniet e ishgruas së tij dhe nënës nuk kanë qenë të mira dhe se ato kanë diskutuar dhe janë konfrontuar fizikisht edhe më herët.

Sipas Lamit, Marjana kishte dyshime se viktima fliste keq për të dhe ndikonte në marrëdhënien e tyre në çift. Për këto situata para ngjarjes, 24-vjeçari tregoi se ata kishin qenë edhe te një hoxhë në Shkodër për të rregulluar marrëdhëniet.

Duke iu referuar dëshmisë, lajmin e vdekjes së nënës e ka marrë në momentin që ishte në punë. Ai tregoi më tej se kur ka pyetur Marjanën se çfarë kishte ndodhur, ajo i kishte treguar version tjetër nga ai që u kishte thënë familjarëve të tjerë.

Sipas Lamit, dyshimet për vrasjen ishin krijuar pasi kishte parë kafshimin në faqen e majtë të nënës. Por megjithëse dyshimet për vdekjen e Lirie Lamit ishin ngritur pikërisht pas varrimit, do të duhej një vit për t’u zbardhur e vërteta, pasi zyrtarisht vdekja u konsiderua vetëvrasje me helmim.

Ndërkohë, në dëshminë e tij Oltioni tregoi se gjatë komunikimeve që ka pasur me Marjanën para ngjarjes, ajo i kishte shkruar se “Do ta vras magjistaren që na bën keq neve”, por asnjëherë nuk kishte thënë emër, është shprehur Oltion Lami.

Dëshmia

Unë jam martuar me Marjanën më 22 maj 2016 dhe jetonim së bashku me prindërit e mi në shtëpinë që kemi në Kamzë. Fillimisht, marrëdhëniet kanë qenë të mira mes ish-bashkëshortes dhe nënës sime. Por më pas, kjo marrëdhënie mes tyre është zbehur. Mes tyre kishin nisur konfliktet dhe pas 6 muajsh nga martesa ime, prindërit u larguan për të jetuar në një tjetër banesë në fshat.

Ndërsa unë dhe Marjana jetuam në shtëpinë në Kamzë. Më 30 prill 2017, mami do të vinte te shtëpia ime sepse do të sillte qumështin, ajo vinte çdo javë në të njëjtën ditë për të sjellë qumësht. Ndërkohë, një natë më parë Marjana ishte te prindërit e saj dhe në mëngjes erdhi më solli këmishët se unë do të shkoja në punë, atë kohë punoja në një restorant.

Pasi u bëra gati, Marjana më shoqëroi deri te stacioni i urbanit dhe pastaj u kthye për në shtëpi. Gjatë rrugës, bashkë kemi folur për gjëra të ndryshme që na përkisnin nevve, kemi folur normalisht.

Gjatë kohës që unë isha në punë, Marjana më kishte dërguar një mesazh ku më shkruante: Si je, a po lodhesh? Mami është pak pa qejf sot. Më vonë më merr xhaxhai im në telefon dhe kur kam dalë jashtë kam parë edhe mesazhin që më kishte dërguar Marjana. Xhaxhai im, Vehbi Lami, më thotë çfarë kishte ndodhur dhe pronari im më merr me makinë dhe më shoqëron në spital. Aty më thanë që mami kishte vdekur nga infarkti. Në spital gjeta nusen e xhaxhait tim, Marjanën dhe xhaxhin. Kur shkova doja të futesha në sallën ku mbahej mami, por nuk më lejuan dhe më thanë se vdiq nga infarkti.

Më pas vjen Policia dhe më ka kërkuar që të shkoja të jepja një deklarim. Kam mbaruar deklarimin në Polici dhe kam shkuar në shtëpi. Aty kishte mbërritur edhe trupi i pajetë i nënës sime dhe kur shkova në shtëpi, kam parë kufomën e mamit dhe ajo kishte kafshim në faqen e majtë, dëmtim në hundë dhe mjekër. Aty mendova se diçka nuk shkonte. Atë ditë Marjana ka ardhur me vonesë dhe nuk e di se ku ishte.

Pasi pashë trupin e mamit, në shtëpi pashë Marjanën dhe motrën e saj, Luljeta Pikun, duke folur bashkë. Sapo u futa në dhomë, ato ndaluan së foluri. E pyeta Marjanën se çfarë ndodhi dhe më tha: “U fut në shtëpi dhe po mbillte disa fidanë. I thirra dhe i thashë hajde se kam bërë supën. Pasi hëngri, u shtri dhe më tha më mbulo me një batanije. Më pas më kërkoi ta lija vetëm dhe shkova në dhomën time”.

Ditën e dytë u sëmur motra dhe e kam çuar te një hoxhë. Kur do ta çoja aty, Marjana më kërkoi ta merrja edhe atë me vete, por nuk e mora. Kur u ktheva në shtëpi, ishte e mërzitur dhe më tha: “Nuk më intereson se çfarë të ka ndodhur ty!” Pasi më tha këtë, ajo ka ikur nga shtëpia.

Ka shkuar te një shtëpi 3-katëshe, hipi në katin e tretë dhe tentoi të vetëvritej. Kam marrë vëllanë e saj në telefon dhe i kam treguar se Marjana do të hidhej nga kati i tretë. Erdhi ai dhe e ka marrë nga aty. Pas kësaj, takova me vëllanë e Marjanës dhe i thashë që me këto veprime që Marjana po bën, njerëzit dyshojnë se e ka vrarë ajo mamanë. Jo më tha, se mos e keni vrarë vetë ju. Pas këtyre dyshimeve ka qenë hoxha, i cili më thotë se duhet të shkoja në Polici dhe të bëja një denoncim.

“Shko në komisariat dhe denonco se mamanë ta vrau nusja. Do të thuash dy detaje që do të them unë, e ka mbytur me shall dhe i dha lëng portokalli me fostoksinë”, më ka thënë hoxha Hysen Shehu. Më pas, hoxha më tregoi ato që kishte filmuar, Marjanën duke treguar se si kishte vrarë mamanë. Pas kësaj, hoxha më tha se nuk duhet të tregoja se ai kishte një video. Nëse unë do të tregoja, më tha se kishte aq fuqi sa të më bënte budalla për gjithë jetën. Marjana debatonte shpesh me mamanë me fjalë, madje edhe janë përleshur me duar. E mbajta 2-3 muaj këtë gjë dhe ia tregova babit. I kam thënë se çfarë kishte hoxha dhe se nuk duhet të tregonte për këtë se ai mund të më bënte budalla për gjithë jetën.

Babi ka shkuar menjëherë në Komisariatin e Kamzës dhe ka treguar se ekziston një video që është provë e fortë. Ata të Prokurorisë insistuan që ta dinin çfarë ishte kjo video dhe kush e kishte. Nga ana tjetër, babi kishte frikë se hoxha mund të më bënte mua budalla. Prokuroria e mori vesh që hoxha kishte videon dhe shkon tek ai.

Një gjë tjetër që kam dalluar janë edhe shenjat në trupin e Marjanës. Dy ditë pas ngjarjes, ajo më thirri të shkoja në dhomë se kishte frikë vetëm. Kur po hiqte bluzën, pashë që kishte njolla të zeza në krah. E pyeta se çfarë ishin dhe më tha që i ishin bërë kur e kishin mbajtur gratë ditën e varrimit të mamasë, që të mos qante shumë.

(Kosova Sot Online)