Dorëzohet në Kuvend peticioni për hapjen e onkologjisë në Pejë

  • 21 May 2019 - 10:56
Dorëzohet në Kuvend peticioni për hapjen e onkologjisë në Pejë

Shoqata e grave në luftë të kancerit të gjirit në rrafsh të Dukagjinit dorëzoi sot peticion në Kuvendin e Kosovës, me anë të të cilit kërkuan realizmin e disa kërkesave, peticion ky që ka marrë 12 mijë e 649 nënshkrime.

Kryetarja e Shoqatës së grave në luftë kundër kancerit në rrafsh të Dukagjinit, Naxhije Uka-Skënderi tha se kërkesë kryesore e kësaj shoqate drejtuar Kuvendit dhe Ministrisë së Shëndetësisë është hapja e qendrës onkologjike në Pejë. 

Kjo shoqatë kërkon edhe vizitën e së paku një herë në javë të një specialisti reumatolog dhe atij onkolog në Pejë, ndarjen e hormonoteapisë për këtë rajon, lirimin nga pagesa për të gjitha analizat për së paku një herë në vit për të gjitha llojet e kancereve në mënyrë të parandalimit të kësaj sëmundje e të tjera. “Kërkesa e parë e shoqatës sonë është të hapet një degë e onkologjisë në Pejë.

Kërkesa e dytë është të vjen së paku 1 herë në javë një reumatologji dhe një onkolog në Komunën tonë.  Kërkesa e tretë është hormonoterapia të ndahet në Pejë. Kërkesa e katërt është sigurimet shëndetësore më në fund të përfundojnë. Kërkesa e pestë ëhtë lirimi prej të gjitha pagesave dhe incizimeve të ndryshme që janë të nevojshme për zbulimet e hershme të kancereve të ndryshme, me qenë falas, për të tërë vitin për personat e paprekur”, tha ajo.

Një kërkesë tjetër e kësaj shoqate është që të mbulohen shpenzimet financiare nga shteti për ato familje që kanë nga dy anëtarë të prekur nga sëmundja e kancerit. Ajo tha se ka pasur raste kur dy fëmijë, ose dy partnerë të një familje janë prekur nga kjo sëmundje, ndërsa mbulimi financiar ka qenë shumë i vështirë. Shoqata e grave në luftë kundër kancerit të gjirit në rrafsh të Dukagjinit ishte themeluar në dhjetor të vitit 2013.

(Kosova Sot Online)