Mustafa mbledh kryesinë pas rrahjeve në Mitrovicë: Askush nuk merr post me dhunë në LDK

  • 21 May 2019 - 19:49
Mustafa mbledh kryesinë pas rrahjeve në Mitrovicë: Askush nuk merr post me dhunë në LDK

Pas një përleshjeje fizike në zgjedhjet e një nëndege të degës së LDK’së në Mitrovicë, janë mbledhur kryesia e partisë e kanë dalë me një qëndrim se me dhunë nuk zgjedhet askush në LDK.

Kryesia e LDK’së njofton se kanë përfunduar zgjedhjet e brendshme në shumicën e degëve të kësaj partie, dhe se ka pasur shumë interesim për to.

“Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në mbledhjen e sotme, nën kryesimin e kryetarit Mustafa, diskutoi për procesin e zgjedhjeve të brendshme në LDK. Kryesia vlerësoi se procesi ka avancuar dhe se është përfunduar në një pjesë të konsiderueshme të degëve, në një atmosferë të garës dhe të konkurrencës së brendshme. Zgjedhjet po përcillen me një interesim të shtuar për anëtarësime dhe prurjeve të reja nëpër degë”, thuhet në njoftimin e LDK’së.

“Procesi zgjedhor është i rëndësishëm për forcimin dhe rigjenerimin e LDK-së si parti shtetformuese dhe tepër e rëndësishme për të gjitha proceset që ka kaluar dhe po kalon Kosova. Në këtë prizëm, LDK sheh edhe interesimin e medieve dhe të publikut për zgjedhjet në LDK”, thuhet më tej.

Aty përmendet edhe rasti në Mitrovicë, më saktësisht në një nëndege të saj, ku zgjedhjet cuan në përleshje fizike mes dy grupeve brenda partisë. Sipas kryesisë së LDK’së, askush nuk mund të imponohet e as të zgjedhet në struktura të partisë me dhunë.

“Kryesia e LDK-së rikonfirmoi qëndrimin e saj dhe të Këshillit të Përgjithshëm për një proces demokratik dhe të paimponuar nga asnjë palë dhe nga asnjë individ. Gara në LDK zhvillohet si sfidë dhe konfirmim i individëve para anëtarësisë. Tentimet që dikush të vjen në struktura të LDK-së përmes rrugëve të tjera, veçmas dhunës siç ishte rasti në një nëndegë në Degën e LDK-së në Mitrovicë, janë të papranueshme dhe jashtë kulturës dhe sjelljes së LDK-së. Prandaj, ata që nuk janë në gjendje të respektojnë rregullat, duhet të tërhiqen dhe mos ta dëmtojnë procesin, sepse si të tillë do të jenë të papranueshëm, u tha në takimin e sotëm të Kryesisë”, përfundon njoftimi i kryesisë. 

(Kosova Sot Online)