Preteni: Gjyqësori është i korruptuar, i ndikuar dhe i shantazhuar!

  • 22 May 2019 - 07:59
Preteni: Gjyqësori është i korruptuar, i ndikuar dhe i shantazhuar!

Duke e parë se si po drejtësia kosovare po e injoron apelin e ambasadorit amerikan Philip Kosnett për llogaridhënie, për marrje masash ndëshkimi dhe konfiskim të pasurive të paligjshme nga zyrtarët e lartë të shtetit të korruptuar e pasuruar kundërligjshëm, njohësi i kësaj fushe Hasan Preteni tha për “Kosova Sot Online” se kjo është dëshmia më e mirë që flet se sa thellë është futur politika me ndikimin e vetë në sistem dhe nuk e lë të shkëputet.

Image
Hasan Preteni

“Gjyqësori nuk i dëgjon ambasadorët sepse ata e kanë një vartësi tjetër. Ata veprojnë sipas diktateve politike. Asnjë emërim, asnjë avancim dhe asnjë rast nuk mundë të hapet pa vendime politike. Udhëzimet miqësore të ndërkombëtarëve, sponzorizuesve më të fuqishëm të shtetit të Kosovës kishin ndikuar pozitivisht vetëm tek një gjyqësor i pavarur”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

Preteni thotë se" konstatimet e miqve ndërkombëtar për mos funksionim të sistemit dalin nga ligjet që nuk po zbatohen, e të cilat ligje janë bërë në bashkëpunim dhe sponsorizim edhe nga miqtë ndërkombëtar, përfshi amerikanët. Sa të vërteta janë konstatimet e miqve se flet fakti se Kosova i ka ligjet por nuk zbatohen. Tentimi i vazhdueshëm se duhet ndryshuar legjislacioni është farsë që mundë të kalon tek qytetari i pa informuar por tek përfaqësuesit e shteteve me demokraci të konsoliduar, në asnjë mënyrë nuk kalon”, theksoi Hasan Preteni për “Kosova Sot Online”.

Ai po ashtu tha se edhe veprimet e fundit të gjyqësorit janë rezultat i luftës së brendshme politike. “Gjithçka është politike, Gjyqësori është i korruptuar, i ndikuar dhe i shantazhuar. Pa veprime urgjente në shkëputjen e kësaj vartësie, progres nuk do të ketë”, tha Preteni për “Kosova Sot” Online”.

(Kosova Sot Online )