“The Guardian” shkruan për shkrimtarin e ri kosovar, Pajtim Statovci

  • 22 May 2019 - 16:55
“The Guardian” shkruan për shkrimtarin e ri kosovar, Pajtim Statovci

Pajtim Statovci është lindur në Kosovë në vitin 1990. Familja e tij emigroi në Finlandë pas fillimit të gjenocidit në Bosnjë dhe më vonë, në Kosovë. Shkrimtar i gjuhës finlandeze e me trashëgimi kosovare-shqiptare, Statovci punon në një turmë të pasur të imagjinatës që ia mundëson atij perspektivën e shumanshme të “autsajderit”.

Vepra e tij debutuese, “My Cat Yugoslavia” (“Macja Ime Jugosllavia”) përshkruan një piton shtëpiak dhe një mace që flet, me të cilët protagonist vetëkritik, i biri i imigrantëve kosovarë, ka një marrëdhënie ambicioze. Në të përfshihet edhe historia e një kosovari të ri, të përcjellë me rrëfime për politikën e klaneve dhe zgjimin seksual. Kjo vepër u shpërblye me çmime në Finlandë dhe është krahasuar me veprën “Let the Right One In” për qëndrimin shkatërrues ndaj intimitetit. Është një roman që hyn nën lëkurën tuaj.

Vepra tjetër, “Crossing” (“Kalimi”), përbën një goditje edhe më shkatërruese: Ajo është puna e një romancieri të arritur. Libri e zgjeron dhe e ndërlikon temën qendrore të Statovcit për revoltën rinore – kundër pronësisë tradicionale, identitetit të paracaktuar, kombësive, familjeve, origjinave, kundër jetës si një tirani e parashikuar. Skena kryesore është Shqipëria (titulli në finlandisht është “Tiranan Sydan”, që do të thotë “Zemra e Tiranës”) dhe vështirësia e heroit të paqartë është e rrënjosur në fatin e ashpër të atdheut të tij.

Në kohën kur Shqipëria e dalë nga komunizmi rrëshqet në kolapsin social, me shitje të fëmijëve, me trafikim të organeve dhe prostitucion (ky ishte realiteti), Bujari dhe shoku i tij, Agimi, ndihen sikur po jetojnë në një vend që nuk mund të arrihet nga koha…shportë e bërllokut të Evropës, pjesë e pasme e oborrit të Evropës, burgu më i madh i hapur i Evropës. Ngushëllimi i vetëm i mbetur është pirja e duhanit në mënyrë të pakujdesshme ose rrezikimi i jetës përmes emigrimit ilegal në Greqi ose Itali.

Kur babai i Bujarit vdes, kur motra e tij rrëmbehet nga trafikuesit dhe nëna e tij sëmuret mendërisht për shkak të mërzisë, djemtë ikin nga shtëpia dhe jetojnë në rrugët e Tiranës dhe të Durrësit. Ëndrra e tyre është Evropa. Pas një viti të shitjes së cigareve, ata arrijnë ta blejnë një barkë dhe të nisen ujërave të Adriatikut. Janë vitet e nëntëdhjeta, por ky rrëfim vlen edhe për të tashmen, është rrëfim për secilin refugjat që e synon Evropën, duke lënë prapa peizazhin e pabanueshëm, shtetësinë e klasit të tretë dhe letërnjoftimet me afat të skaduar – sepse në mërgim nuk ka histori, vetëm të tashme, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)