Veseli përpiqet të dalë nga spiralja e lajmeve për fajdexhinjtë, poston diçka për Vuçiqin

  • 24 May 2019 - 17:11
Veseli përpiqet të dalë nga spiralja e lajmeve për fajdexhinjtë, poston diçka për Vuçiqin

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka reaguar pasi zyrtarët e lartë të Listës Srpska paralajmëruan dorëheqje nga institucionet kosovare, pak ditë pasi kjo parti ka fituar zgjedhjet në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës.

Veseli thotë se ky paralajmërim është i pahijshëm qëndrimi i Listës Srpska menjëherë pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuciq.

Tutje kryeparlamentari i ka kërkuar Bashkimit Evropian të reagojë ndaj deklaratëve të përfaqësuesve serbë, që sipas Veselit, janë destabilizuese.

Shkrimi i plotë i Veselit:

Paralajmërimi i dorëheqjes nga kryetarët e sapozgjedhur të komunave të veriut të Kosovës është një akt i pahijshëm dhe i dëmshëm që cënon bashkëjetesën dhe stabilitetin e Kosovës. Kjo deklaratë e dhënë prej tyre pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, dëshmon edhe njëherë qartazi mungesën e vullnetit të Beogradit për të ndërtuar paqe dhe fqinjësi të mirë. Me këtë rast, i bëj thirrje përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, që të bëjnë detyrën e marrë përsipër si garantues për të bërë presion në mënyrë që Serbia të zbatojë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel. Pavarësisht këtyre provokimeve, dua të theksoj se Republika e Kosovës është një shtet model në mbarë Evropën për sa i përket garantimit të të drejtave komuniteteve jo-shumicë dhe do të vazhdojë me këmbëngulje që me procesin e dialogut final të zgjidhë problemet e së kaluarës me Serbinë duke siguruar njohjen dhe ulësen në OKB.

(Kosova Sot Online)