Tahiri reagon pas kërcënimit me bombë në KGJK dhe Prokurorinë Speciale

  • 24 maj 2019 - 18:43
Tahiri reagon pas kërcënimit me bombë në KGJK dhe Prokurorinë Speciale

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka reaguar pas kërcënimit me bombë në KGJK dhe Prokurorinë Speciale.

Ai përmes një deklarate për medie ka kërkuar që përgjegjësit të sillen para organeve të drejtësisë.

“Republika e Kosovës, institucionet e saj dhe shoqëria jonë, janë të përcaktuara për sundimin e ligjit si imperativin e patjetërsueshëm përmes së cilit përmbushen aspiratat tona kolektive e individuale”, ka thënë ai.

Sipas tij, kërcënimi që sot morën organet e zbatimit të ligjit është akt që nuk përkon me traditën, kulturën politike dhe as me investimet shoqërore për një drejtësi të mirëfilltë, e cila është besnike dhe e palëkundur ndaj të vërtetës.

“Shpreh indinjatën time të thellë me këtë akt dhe ndaj kujtdo që qëndron prapa tij, i cili sot ka pretenduar të vë në test vullnetin e pa lëkundur të institucioneve të sistemit të drejtësisë për të zbatuar ligjin në përpikërinë e tij”, thotë ai.

Tahiri thotë se, tentativa e sotme përmes kërcënimit është e papranueshme dhe duhet të marrë përgjigjen e merituar.

Ai ka shtuar se nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë që sistemi i drejtësisë dhe gardianët e tij të bëhen cak i kërcënimit nga personat e papërgjegjshëm, kushdo qofshin ata.

“Pres nga organet e drejtësisë që të sjellin para përgjegjësisë autorin e kësaj tentative që synoi të mbjellë panik në mesin e institucioneve tona, si dhe dua t’i siguroj qytetarët e Republikës së Kosovës, se institucionet e zbatimit të ligjit nuk do të ndalën së bëri punën e tyre të mirëfilltë në secilin segment që i ka mandatuar ligji”, ka përfunduar ai.

(Kosova Sot Online)