Mustafa e përshëndet aksionin në Veri, por e thumbon pak Kadri Veselin

  • 28 May 2019 - 11:49
Mustafa e përshëndet aksionin në Veri, por e thumbon pak Kadri Veselin

Aksionin e Policisë së Kosovës në disa komuna të Kosovës, që si cak kishte arrestimin e disa personave, përfshirë këtu edhe policë e doganierë, e ka përshëndetur edhe kreu i LDK’së, Isa Mustafa. Ai e ka shfrytëzuar këtë rast që ta thumbojë pak edhe kreun e PDK’së, Kadri Veselin, lidhur me aferën e fajdeve.

 

Përmes një postimi në Facebook , Mustafa ka thënë se drejtësia nuk guxon të jetë selektive si në rastin e fajdeve, dhe se krimi i organizuar nuk njeh etni, ashtu siç nuk duhet të njoh as ligji.

Mustafa ka thënë se zbatimi i drejtësisë nuk duhet ta shqetësoj askënd dhe as Serbinë, nëse ata nuk janë të involvuar në këto veprime kriminale

“Të gjithë ata, shqiptarë, serbë, boshnjakë etj, zyrtarë e jo zyrtarë duhet të paergjigjen në mënyrë të barabartë para ligjit për veprimet e dëmshme që po ia shkaktojnë vendit. Drejtësia nuk guxon të jetë selektive si në rastin e fajdeve. Zbatimi i drejtësisë nuk duhet ta shqetësoj askënd dhe as Serbinë, nëse ata nuk janë të involvuar në këto veprime kriminale”, thuhet në postimin e Mustafës në Facebook.

Ndryshe, një aksion i Policisë së Kosovës të hënën, nën udhëheqjen e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala, la nën pranga katër kontrabandistë dhe katër doganierë.

I njëjti aksion, mëngjesin e së martës vazhdoi edhe në disa komuna tjera të Kosovës. Operacioni policor u shtri edhe në Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë Veriut, Drenas e Skenderaj.

Përmes një komunikate është bërë e ditur këta persona dyshohen për “Pjesëmarrje ose Organizim i Grupit Kriminal”, në lidhje me veprat tjera penale, si: “Kontrabandim me Mallra”, “Keqpërdorim i Pozitës Zyrtare”, “Dhënie e Ryshfetit”, “Tregti e Ndaluar”. Për realizimin e këtij aksioni, Policia e Kosovës ka hasur edhe në rezistencë të armatosur.

Deri më tani është raportuar se janë të plagosur katër pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Policia ka bërë të ditur se kjo ka rezultuar me arrestimin e disa zyrtarëve të nacionaliteteve të ndryshme, shqiptarë, serbë e boshnjakë.

(Kosova Sot Online)