“Prapa sistemit të drejtësisë qëndrojnë peshqit e mëdhenj të pushtetit dhe krimit"

  • 30 May 2019 - 21:30
“Prapa sistemit të drejtësisë qëndrojnë peshqit e mëdhenj të pushtetit dhe krimit

 

Prapa sistemit të drejtësisë qëndrojnë peshqit e mëdhenj të pushtetit dhe krimit

"Ky sistem drejtësie është kalbur dhe e ka falimentuar shtetin ligjor, shoqërinë dhe demokracinë, ai nuk jep llogari për asgjë dhe para askujt, sepse prapa tij qëndrojnë politika dhe pushtetarët,peshqit e mëdhenj të pushtetit të krimit, hajnisë dhe korrupsionit”, thotë eksperti i fushës Skënder Kapiti për “Kosova Sot Online”

Image

Edhe pse kaluan mbi 11 vite që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, dhe me këtë edhe pavarësimi i institucioneve të drejtësisë kosovare nga kontrolli dhe mbikëqyrja e forcuar ndërkombëtare, ende akoma askush askush nuk jep përgjegjësi në këtë vend për dështimin e drejtësisë së re të Kosovës, edhe për këto 11 vjet të pas pavarësisë ku sistemi i drejtësisë ka degraduar tërësisht. Njohësit e kësaj fushe, ekspertët, mendojnë se me këtë kastë të prokuroreve nuk ka shanse të hetohen apo të hapin raste penale të krimit të organizuar të pushtetarëve të nivelit të lartë, qoftë në nivelin qendror apo atë, prandaj vetëm një pastrim gjeneral i sistemit, me Vetting, mbetet shpresë për zgjidhjen e duhur sepse tash për tash, është politika dhe krimi i organizuar që I kanë në dorë tërë sistemin e drejtësisë, janë para politika, pushtetarët e nivelit të lartë e të inkriminuar dhe mafio-oligarkët e nëntokës kriminale. Këtë e thotë për “Kosova Sot Online”, eksperti i fushës Skënder Kapiti.

”Askush nuk përgjigjet për dështimin e drejtësisë ne Kosove sepse drejtësinë e ka dështuar, kriminalizuar, korruptuar dhe degraduar vetë sistemi i saj, dhe ky sistem mbron krimin , korrupsionin dhe paligjshmërinë e tij. Ky sistem drejtësie është drejtësi politike dhe si i tille duke i shërbyer mafio politikës është shkrirë dhe është bërë palë me të. Dhe kjo simbiozë oligarko-korruptive është bërë jetike për oligarkinë, ku oligarkët janë politikanët, pushtetarët ,prokuroret, gjyqtarët dhe bizneset e tyre dhe ato pranë tyre”, tha Kapiti për “Kosova Sot Online” .

Sipas Kapitit, nëse nuk ndërmerret veprimi i pastrimit të këtij sistemi, ai do e shkatërron me themel shtetin e ri të Kosovës.

“ Ky sistem drejtësie është kalbur dhe e ka falimentuar shtetin ligjor, shoqërinë dhe demokracinë, ai nuk jep llogari për asgjë dhe para askujt, sepse prapa tij qëndrojnë politika dhe pushtetarët,peshqit e mëdhenj të pushtetit të krimit, hajnisë dhe korrupsionit. Kësaj drejtësie i duhet bërë vetë asaj së pari hetimi dhe gjyqi për krimin dhe korrupsionin e saj , për vjedhjet dhe për pasuritë e fituara nga pazari dhe kontrabandimi që prokurorët e gjyqtarët kanë bërë me ligjin dhe drejtësinë në emër të ligjit, të shtetit dhe të Republikës. “Pra duhet patjetër VETTING për drejtësinë dhe për politiken si e vetmja rrugë për t'ua kthyer shqiptareve besimin e shpresën te shteti, ligji dhe demokracia”, tha Skënder Kapiti për Kosova Sot Online “.

(Kosova Sot Online).