Kelmendi: Prokuroria Speciale të hetoj akuzat për lejen ndërtimore të Spitalit Amerikan!

  • 31 May 2019 - 14:26
Kelmendi: Prokuroria Speciale të hetoj akuzat për lejen ndërtimore të Spitalit Amerikan!

Akuzat e ndërsjella politike në mes PDK-së dhe LDK-së rreth përfshirjes në fajde dhe tregti me leje ndërtimore, pas publikimit të videove që flasin për korrupsion e fajde me rastin e dhënies së lejes ndërtimore për Spitalin Amerikan, e ku përmendet emri i Kadri Veselit, sipas ekspertëve të fushës së sundimit të ligjit është i pa pranueshëm dhe ata kërkojnë që këto debate e akuza politike të ndalohen, që Prokuroria ta merr seriozisht rastin në hetim duke qenë transparente në raport me opinionin publik. Kështu thotë për “Kosova Sot Online” njohësi i kësaj fushe Muhamet Kelmendi.

 

Image

 

“Është e rrugës që faktet e tilla të vërteta apo gënjeshtra, sepse nuk i njohim ato, palët që ia kanë në dispozicion t`i dorëzojnë pranë Prokurorisë Speciale. Akuzat e ndërsjella janë të rënda. Njëra palë akuzon z. Veseli si keq bërës dhe fajdegji, ndërsa pala tjetër sikundër bëri Uran Ismaili, akuzon LDK-në dhe Ismet Beqirin, si dhe Sami Hamitin për fajdexhi dhe marrje të ryshfetit. Këto gjëra të dyshimta të veprës penale duhet të dalin në dritë dhe kërkohet të hetohen nga Prokuroria Speciale e të gjykohen nga gjykata. Drejtësia pra duhet të nxjerr vendimin e vetë, aktgjykimin e drejtë”, tha prof. Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

 

Sipas Kelmendit derisa bëhet fjalë për figura të larta politike, kryetar dhe sekretar partine, Veseli kryetar i PDK-s dhe Beqiri sekretar i LDK-s dhe ish kryetar komune, dhe këto çështje nuk mund të mbyllen me akuza nga zyrat e partive politike.

“Të përmendur janë figura të larta të skenës politike, qoftë në opozitë, qoftë në pozitë. E për atë kjo çështje nuk bënë pa rënë në bankën e gjyqësorit për vendim të drejtë. Është e domosdoshme dhe e pritshme që të ndërmerret sa më shpejtë ky veprim juridik”, theksoi Kelmendi për (Kosova Sot Online”.

 

 (Kosova Sot Online)