Pse e plagosi djalin e xhaxhait polici shqiptar, zbardhet ngjarja. Ishte me gruan kur…

  • 03 June 2019 - 13:30
Pse e plagosi djalin e xhaxhait polici shqiptar, zbardhet ngjarja. Ishte me gruan kur…

Zbardhet konflikti që shkaktoi plagosjen e 48-vjeçarit nga kushëriri i tij, efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, i cili eshte lene sot ne “arrest me burg”. 

Ngjarja që ndodhi pasditen e së shtunës në Pezë, dyshohet të ketë ardhur pas një konflikti të hershëm pronësie mes dy djemve të xhaxhallarëve. Burime nga Policia e Tiranës thanë se efektivi i FNSH-së, Flamur Karaj, 58 vjeç, ka qenë i shoqëruar nga e shoqja në momentin që ka ndodhur ngjarja.

Ai është takuar rastësisht në fshatin Dorëz të Pezës me kushëririn e tij, Enver Karaj, dhe mes tyre ka nisur një debat, që më pas është ashpërsuar deri në përplasje fizike e në fund me të shtëna armësh. Gjatë këtij konflikti, efektivi i FNSH-së ka nxjerrë nga brezi armën e shërbimit dhe ka qëlluar me një plumb në nofull djalin e xhaxhait të tij, 10 vjet më të ri. Më pas, ka nxituar të largohet, duke i thënë gruas që të lajmëronte familjen e kushëririt dhe t’u thoshte se e kishte qëlluar ai.

Krimi ka ndodhur rreth orës 14:00 dhe menjëherë pas ngjarjes autori i dyshuar është vetëdorëzuar fillimisht në repartin e tij e më pas në Komisariatin nr.6, ku ka treguar rrethanat. Ndërsa i plagosuri është transportuar në Spitalin e Traumës në gjendje kritike, për shkak edhe të vonesës së transportit, duke qenë se terreni ku ndodhi ngjarja është i thyer, gjë që e vështirësonte mbërritjen në kohë të automjeteve të Policisë e Ambulancës. 

NGJARJA

Policia e Tiranës njoftoi të shtunën se në fshatin Dorëz të Pezës dyshohej se, gjatë një konflikti të çastit mes dy kushërinjve ka mbetur i plagosur me armë zjarri shtetasi Enver Karaj, 48 vjeç, i cili është transportuar menjëherë për ndihmë mjekësore.

Autori i dyshuar i plagosjes, Flamur Karaj, 58 vjeç, ishte dorëzuar në Polici, ndërsa grupi hetimor kishte shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes për zbardhjen e rrethanave të krimit. Në një tjetër njoftim zyrtar, Policia tha se specialistët e Sektorit të Krimeve Ndaj Jetës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr.6 dhe me specialistët e Drejtorisë Rajonale të SHÇBA-së Tiranë, kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Flamur Karaj, 58 vjeç, lindur në fshatin Dorëz, njësia administrative Pezë dhe banues në Tiranë, me detyrë punonjës policie në repartin e FNSH-së.

Arrestimi i tij u bë, pasi shtetasi Flamur Karaj, duke punuar në banesën e tij të vjetër, në fshatin Dorëz dhe pas një konflikti verbal dhe fizik me shtetasin Enver Karaj, djali i xhaxhait të tij, me armën e shërbimit e ka qëlluar atë në kokë. I plagosuri është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Menjëherë pas ngjarjes, punonjësi i Policisë Flamur Karaj është vetëdorëzuar pranë repartit të FNSHsë Tiranë, ku edhe shërbente.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një armë zjarri pistoletë, së bashku me karikatorin me 12 fishekë. “Materialet e administruara deri në këtë fazë të hetimeve i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme në ngarkim të shtetasit Flamur Karaj, për veprën penale, ‘Vrasja me dashje’, e ngelur në tentativë”, tha zyrtarisht Policia. 

I plagosuri në reanimacion me plagë në fytyrë

Enver Karaj, 48-vjeçari që u plagos me armë zjarri nga djali i xhaxhait ditën e shtunë, vazhdon të mbahet në terapi intensive në Spitalin e Traumës. Mjekët thanë se ai ka një plagë në fytyrë, pasi plumbi i ka goditur nofullën dhe i ka dalë në faqe. Nga ana tjetër, oficerët e Krimeve Kundër Jetës janë paraqitur dje për të marrë dëshminë e tij në ambientet e spitalit, por nuk kanë arritur, duke qenë se gjendja e tij vazhdonte të ishte e rëndë, pavarësisht se ka arritur të flasë, aq sa për të treguar gjeneralitetet e tij.

Policia: Efektivi akuzohet për vrasje në tentativë

“Specialistët e Sektorit të Krimeve Ndaj Jetës, në bashkëpunim Komisariatin e Policisë Nr.6 dhe me specialistët e Drejtorisë Rajonale të SHÇBA-së Tiranë, kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Flamur Karaj, 58 vjeç, lindur në fshatin Dorëz, njësia administrative Pezë dhe banues në Tiranë, me detyrë punonjës policie në repartin e FNSH-së. Arrestimi i tij u bë pasi me armën e shërbimit e ka qëlluar në kokë shtetasin Enver Karaj, i cili është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Menjëherë pas ngjarjes, punonjësi i policisë Flamur Karaj është vetëdorëzuar pranë repartit të FNSH-së Tiranë, ku edhe shërbente. Materialet e administruara deri në këtë fazë të hetimeve, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme në ngarkim të shtetasit Flamur Karaj, për veprën penale, ‘Vrasja me dashje’, e ngelur në tentativë”, tha zyrtarisht Policia.

(Kosova Sot Online)