Ja kë akuzon profesori ndërkombëtar për vrasjen e Ali Ukës!

  • 03 June 2019 - 15:00
Ja kë akuzon profesori ndërkombëtar për vrasjen e Ali Ukës!

Profesori ndërkombëtar dhe njohësi i zhvillimeve politike, doktor, Enver Bytyçi ka folur për “Kosova Sot Online” lidhur me akuzat ndërmjet ish kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Bytyçi është shprehur se dalja e Berishës kundër ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë ishte një akt patriotizmi I jashtëzakonshëm.

“Ish- kryeministri, Sali Berisha, prej kohësh është përfshirë në debatin e nxehtë për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë e për pasojë ka goditur ashpër presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, i cili ka marrë përsipër që prej më shumë se një viti kryerjen e këtij aksioni politik në favor të Serbisë së Madhe. Dalja e Berishës kundër ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë ishte një akt patriotizmi I jashtëzakonshëm dhe mund të themi pa frikë se e devijoi raportin e forcave dhe argumentin në favor të ruajtjes së integritetit dhe sovranitetit teritorial të Kosovës. Vendimet e kryeministrit Ramush Haradinaj për taksën, ushtrinë, Trepçën dhe kontrollin juridik të veriut të Kosovës, si dhe përballja e Berishës me teoritë antishqiptare e pro serbe të territoreve janë dy arsyet themelore pse opinioni publik shqiptar dhe ai ndërkombëtar ka mbajtur anën kundër ndarjes së vendit”, është shprehur profesor Bytyçi për “Kosova Sot Online”.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, në këto kushte filluan dhe akuzat e kundërakuzat midis dy liderëve politikë të të dy shteteve shqiptare.

“Berisha iu përmbajt linjës se "Thaçi është vënë në rolin e argatit të Beogradit për krijimin e Serbisë së Madhe"! Ndërsa Thaçi nga ana e tij iu kundërvu liderit historik të demokracisë shqiptare me retorikën e akuzave të së majtës shqiptare, kryesisht të kuzhinës së Rilindjes së Edi Ramës. Ashtu si për çështjen e territoreve në favor të krijimit të Serbisë së Madhe, edhe për përgjigjet ndaj Berishës Rama dhe Thaçi bashkëpunojnë ngushtë”.

Më tej, Bytyçi ka deklaruar se Thaçi është duke i shërbyer Edi Ramës me shpifjet që ia jep të gatshme zyra e kryeministrit shqiptar. 

“Por ajo që shoh unë ka të bëjë me faktin se Hashim Thaçi, duke iu përgjigjur Berishës nuk po mbrohet nga akuzat që ai ia bën presidentit të Kosovës. Përkundrazi po i shërben Edi Ramës me shpifjet që ia jep të gatshme zyra e kryeministrit shqiptar. në këto replika kanë zënë vend edhe vrasjet e pas luftës në Kosovë. Përmendet numri I 200 vrasjeve politike, por sado të jetë numri, përsëri viktimat e këtyre vrasjeve janë të shumta. Vrasjet politike të pasluftës janë pasojë e konfliktit politik për pushtet. Të gjithë ata që janë vrarë kanë qenë kundërshtarë të vendosur të Hashim Thaçit dhe për pasojë është e pamundur që lideri i Partisë Demokratike i kohës të mos kishte dijeni ose të mos kishte dhënë vetë urdhrat përkatës. Për pasojë logjikisht Hashim Thaçi duhet të përgjigjet për këto vrasje”, thekson Bytyçi për “Kosova Sot Online”.

Sipas profesor Bytyçit, shkuarja e Thaçit në Gjykatën Speciale është domosdoshmëri,

“Se Hashim Thaçi ka dorë në likuidimet politike të veprimtarëve dhe anëtarëve të LDK-së dhe në atentatin kundër Ibrahim Rugovës, këtë e dëshmon fakti se askush prej autorëve deri më sot nuk është gjendur dhe nuk ka dhënë llogari. Kjo do të thotë se kriminelët vrasës kanë mbrojtje politike. Këtë mbrojtje nuk mund t'ua japë atyre askush tjetër përveçse Hashim Thaçit. Dhe kjo është arsyeja pse presidenti I Kosovës gjithnjë në 20 vitet e fundit ka patur kontroll të plotë mbi gjykatat dhe prokurorinë e shtetit. Dy janë qëllimet e këtij pushteti në drejtësi: Të mbrojë kriminelët në pushtet, të mbrojë vrasësit kriminelë të politikanëve dhe gazetarëve kundërshtarë të pushtetit dhe të mbrojë më në fund veten nga akuzat që i bëhen”. 

Kurse, sa i përket vrasjes së gazetarit, Ali Uka, i cili ishte cimer i Hashim Thaçit, Bytyçi ka thënë se Thaçi duket se ndjehet fajtor për vrasjen e Ali Ukës.

“Sa i përket akuzës së vrasjes së Ali Ukës, kjo temë është trajtuar me kohë. Hashim Thaçi dhe emri i tij janë artikuluar prej kohësh si autor i mundshëm i likuidimit të gazetarit në fjalë. Thaçi asnjëherë deri më sot nuk ka shprehur se "Ishin njerëzit e Berishës ata që likuiduan Ali Ukën". Për herë të parë e tha para disa ditësh në një TV të Kosovës. Nëse kjo deklaratë e tij të shprehte një të vërtetë, atëherë Thaçi nuk do ta mbante nën dhëmbë një akuzë të tillë për kaq shumë kohë. Do ta kishte thënë që para një viti kur renditi akuzat e socialistëve të Tiranës kundër Berishës. Kjo do të thotë se dikush e ka këshilluar dhe sugjeruar që Thçi t'i kundërvihet liderit demokrat të Shqipërisë me të njëjtën akuzë, megjithëse vetë Berisha asnjëherë nuk ka thënë se "Thaçi është autor i vrasjes së gazetarit Uka". Kundërvënia është e qartë dhe e dukshme. Por ajo që shoh në këtë përplasje dhe këtë akuzë ka të bëjë me faktin se Thaçi duket se ndjehet fajtor për vrasjen e Ali Ukës. Nëse nuk do të ishte fajtor, nuk do të përpiqej që veprën kriminale ta largonte nga vetja, duke ia faturuar kundërshtarit të tij”, përfundoi për “Kosova Sot Online”, profesori ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi.

(Kosova Sot Online)