Njerëzit gëlltisin mijëra grimca plastike çdo vit

  • 05 June 2019 - 18:35
Njerëzit gëlltisin mijëra grimca plastike çdo vit

Njerëzit gëlltisin dhe thithin nëpërmjet frymëmarrjes mijëra grimca plastike çdo vit, sipas kërkimeve të publikuara të mërkurën.

Këto mikro grimca plastike, që krijohen nga shpërbërja e produkteve nga më të ndryshmet si veshjet sintetike, gomat, lentet e kontaktit etj., gjenden tashmë kudo në planet, nga akullnajat më të larta deri në fundin e oqeaneve.

Shkencëtarët kanadezë kanë analizuar me mikroskop qindra të dhëna mbi ndotjen, duke marrë për bazë regjimin mesatar dhe modelin e konsumit të amerikanëve.

Sipas rezultateve të këtyre vlerësimeve një njeri i rritur gëlltit deri në 52 000 grimca plastike në vit. Dhe nëse merret parasysh ajri i ndotur, këto shifra arrijnë deri në 121 000, përcjell Atsh.

Rreth 90 000 grimca të tjera shtohen nëse konsumojmë vetëm ujë në shishe, shton ky studim, i publikuar në revistën “Environmental Science and Technology”.

(Kosova Sot Online)