Mosmarrëveshjet mes Trumpit dhe Macronit, nga klima deri te tregtia

  • 05 June 2019 - 19:03
Mosmarrëveshjet mes Trumpit dhe Macronit, nga klima deri te tregtia

Shtrëngimi i duarve, nesër, mes presidentit francez, Emmanuel Macron dhe homologut të tij amerikan, Donald Trump do të vëzhgohet deri në detajin më të imët, pasi krejt ndryshe nga bashkëpunimi që shfaqën në fillim, të dy liderët tashmë kanë qasje të kundërta për shumë çështje duke nisur nga klima, tek Irani dhe duke vijuar me tensionet tregtare.

Për pak më shumë se një vit, presidentët amerikanë dhe francezë i shumëfishuan gjestet miqësore, gjë që u vu re në vizitën shtetërore pompoze të Emmanuel Macron në Uashington.

Donald Trump e mburri në atë kohë të ftuarin e tij se do të jetë një president i madh për Francën.

Që nga ajo kohë, marrëdhëniet duket se kanë pasur një ftohje, edhe pse Elizeja konfirmon se besimi është në nivelin më të lartë me Uashingtonin.

Fërkimet janë të shumta, në sfondin e vënies në pikëpyetje nga ana e Donald Trump të multilateralizmit ku Emmanuel Macron shfaqet si nismëtar.

Vitin e kaluar, ky i fundit sqaroi se do të vijonte përpjekjet së bashku me Donald Trump për arritjen e një marrëdhënie sa më të miqësore të mundshme duke i dhënë më shumë përparësi miqësisë historike franko-amerikane sesa raporteve personale me homologun e tij të paparashikueshëm.

Nesër, takimi i tyre do të jetë i shkurtër pasi Donald Trump do të bëjë vetëm një ndalesë disa orëshe në Francë, midis vizitës shtetërore tre ditore në Britaninë e Madhe dhe një ”aventure” në një nga fushat e golfit në Irlandë, përcjell Atsh.

Shtëpia e Bardhë i kushton vëmendje para së gjithash rëndësisë së përkujtimit të 75- vjetorit të D-Day, pastaj takimit kokë më kokë që do të zhvillohet më pas në Caen.

(Kosova Sot Online)