Alarmi për Kosovën: Vendi po zbrazet, ja pse kosovarët nuk po protestojnë

  • 11 June 2019 - 14:59
Alarmi për Kosovën: Vendi po zbrazet, ja pse kosovarët nuk po protestojnë

Sipas njohësve të rrethanave politike, qytetarët e Kosovës janë aq shumë të dëshpëruar me klasën politike në Kosovë duke përfshirë edhe me opozitën, sa që tani më ka humbur edh motivi për të protestuar dhe për ta rrëzuar këtë qeveri në mënyrë që të sjellin një subjekt tjetër politik në qeverisje.

Ky zhgënjim i madh, sipas analistëve vjen nga fakti se për vite të tëra, krimi dhe korrupsioni janë rrjetëzuar edhe në institucionet e shtetit, duke bërë që të rritet varfëria dhe të degradohet arsimi e shëndetësia.

Sipas analistit politik, Faik Krasniqi, motivi i vetëm mbetet braktisja e vendit, një fenomen që do të shënon akoma më shumë rritje pas liberalizimit të vizave.

Image
Faik Krasniqi

“Kur dikush e shtron pyetjen: pse qytetarët e Kosovës nuk po ngritën në protesta gjithë popullore për rrëzimin e kësaj Qeverie, ka një arsye shumë të thjeshtë. Qytetarët e Kosovës janë dëshpëruar nga ky vend, respektivisht nga kjo klasë politike, dhe të gjithë janë duke pritur liberalizimin e vizave për të ikur nga këtu”, tha analisti Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Krasniqi shprehet se përvoja e deritanishme në vend, ka treguar se Kosova është larg demokracisë së mirëfilltë dhe sundimit të ligjit për të ofruar perspektivë dhe standard çfarë po e shohim në BE.

“Prandaj pritjet kanë qenë tepër të gjata deri më tani me premtime të kota, kështu që tashmë nuk ka forcë që i bindë qytetarët për të pritur ndryshime pozitive në vend. Ky është qëllimi i çdo qytetari të Kosovës, që të shkojnë në vendet e BE-se dhe të punojnë në mënyrë legale. Ata e kanë kuptuar që këtu nuk bëhet kurrë mirë, dhe pse të rrinë në një vend ku s'kanë të ardhme. Punë jo, shëndetësia në gjendje të mjerueshme, arsimi po ashtu. Kurse politikanët më të pasur se kurrë. Të pasuruar në kurrizin e tyre”, tha Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”. 

“Të gjithë i njohim se kush kanë qenë këta qelbësira para luftës. Të varfër ekstremist. Kurse, sot, të gjithë janë bërë milionerë”.

“Trendët e zbrazjes së shtetit janë më shumë rrezik dhe gjasat janë që mafia politike të mbetet vetëm, por vetëm pa popullin për ta qeverisur vendit dhe atëherë akoma më shumë do të shpërfaqet krimi dhe grupet mafioze. Por, si do ta mbajnë pushtetin pa popull? Pa popull bie ekonomia, bie buxheti. Pensionerët nuk e mbushin arkën e shtetit. Ky vend do të ngelet shkretëtirë pa popull, vetëm në pleq dhe në plaka”, përfundoi Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)