Vrau nënën e 6 fëmijëve, burri dënohet me 35 vjet burg. Dyshonte se ishte lidhur me pronarin

  • 11 June 2019 - 15:11
Vrau nënën e 6 fëmijëve, burri dënohet me 35 vjet burg. Dyshonte se ishte lidhur me pronarin

Gjykata për Krime të Rënda dënoi me 35 vite burg Çelnik Shaullin, i cili një vit më parë vrau bashkëshorten e tij Antoneta Shaulli.

Vendimi i Gjykatës u dha paraditen e djeshme pas gjashtë seancash, ku u dëgjuan dëshmi dhe u morën provat. Viktima ishte 42 vjeçe dhe nënë e 6 fëmijëve, ndërsa vrasja ka ndodhur pas një sherri në orët e mbrëmjes. Shaulli mendohet se e kreu krimin pasi u bë xheloz se bashkëshortja nisi punë dhe e akuzoi atë se kishte marrëdhënie me pronarin. Gjatë dëshmisë, në sherr e sipër ai tha se e shtyu dhe gruaja përplasi kokën në dysheme. Çelnik Shaulli e çoi me duart e tij në urgjencë bashkëshorten e plagosur.

Ndërkohë, mjekët vunë re një hematomë në kokë, ndërsa gruaja nuk mundi të dilte e gjallë nga salla e operacionit. Pas shoqërimit në Polici, burri pranoi që ishin zënë. Ai e kishte shtyrë dhe ajo kishte përplasur kokën në dysheme. “Nuk doja ta vrisja, si mund të lija jetimë fëmijët e mi”, tha ai në Polici. Por nga hetimet e Prokurorisë rezulton se e ndjera është vrarë me mjete të forta prerëse. Sipas Prokurorisë, çifti jetonte në kushte të vështira ekonomike dhe kjo i kishte çuar ata në konflikte të vazhdueshme.

DËSHMITË

Disa ditë pas vrasjes, në një intervistë për mediat në atë kohë, prindërit e Çelnik Shaullit deklaruan se ata nuk do t’i shkonin në gjyq djalit dhe se ishin të pikëlluar për atë që kishte ndodhur. “E kemi bërë lanet djalin, nuk duam që t’i shikojmë sytë. Nuk do i shkojmë as në gjyq”, thanë ata. Ndërkohë, i vetmi hall i prindërve të moshuar të Shaullit ishte rritja e fëmijëve që la jetimë.

“Djali të vuajë për atë që bëri. Nuk e ndjekim për hatanë që i bëri familjes. Djali nuk punonte, kemi hall si do rrisim 6 fëmijët. Ne kemi pensione minimale. Kishin mbi 1 vit që kishin sherre, djali herë pas here pinte. Shtëpinë e kanë të rrënuar. 3 fëmijët e vegjël i ka marrë një shoqatë. Gruaja ishte e mirë, punonte. Ata të dy kanë pasur sherre me njëri-tjetrin, por nuk e mendonim që do arrinte deri këtu. Nuk ia falim djalit këtë që bëri, la fëmijët pa nënë”, u shprehën ata.

Edhe të afërm të tjerë të familjes kanë folur në atë kohë për vrasjen. Prej një muaji ishte punësuar në një lavanderi në qytetin e Durrësit, por kjo siç thanë të afërmit, e kishte përkeqësuar më shumë raportin me të shoqin. 40-vjeçarja e kishte denoncuar disa herë bashkëshortin në Polici dhe pavarësisht se e kishte denoncuar disa herë, Çelnik Shaulli shoqërohej e lihej i lirë nga Policia.

“Ishte Ana ajo që ka bërë të pamundurën që familja të mbetej e bashkuar”, thotë njëri prej të afërmve. Ndërsa ajo që tashmë i shqetëson familjarët më të afërt të viktimës është fakti se çfarë do të bëhet me 6 fëmijët e saj, më parë ata kishin atë si “shtyllën” e familjes, tani kanë mbetur fillikat. “Ata edhe me nënë e babë ishin ku thërret kiameti, po tani si do vejë halli i tyre”, shprehen ata.

NGJARJA

Ngjarja e rëndë ndodhi më datë 8 qershor 2018. “Rreth orës 19:55, në Urgjencën e Spitalit Rajonal Durrës ka shkuar e lënduar në kokë dhe ka ndërruar jetë shtetasja Adriana Shaulli 40- vjeçe, banuese në Lagjen Nr.15, Durrës”, njoftoi Policia në atë kohë. Ndërkohë, nga hetimet e kryera ka rezultuar se autor i dyshuar është bashkëshorti i saj, shtetasi Çelnik Shaulli, 43 vjeç, i cili e ka goditur me mjete të forta. 43-vjeçari është shoqëruar në ambientet e Policisë Durrës, i cili u pyet për ngjarjen.

(Kosova Sot Online)