Vjen akuza e rëndë: Ky është plani i Thaçit dhe Ramës me Baton Stanishiqin për Kosovën

  • 14 June 2019 - 17:34
Vjen akuza e rëndë: Ky është plani i Thaçit dhe Ramës me Baton Stanishiqin për Kosovën

Analisti politik, Ramiz Bojaj, duke folur për ceremoninë për ndër të 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës, ka thënë se ishte edhe një zhgënjim i madh i miqve të mëdhenj të Kosovës, të cilët e vërejtën së afërmi mjerimin, varfërinë dhe izolimin e Kosovës, të cilin, sipas Bojajt, e sollën mafiozët tanë të pushtetit që pakënaqësia qytetare ndaj tyre u shënua hapur edhe në këtë manifestim.

“Ishte një zhgënjim i madh për miqtë e Kosovës kur kanë mësuar për ikjen masive të të rinjve nga Kosova, pastaj papunësinë e madhe, dhe skandalet e një pas njëshme, që janë pasqyrë e vjedhjes dhe shkatërrimit të këtij vendi, nga ata të cilët me servilizëm e aspak me diplomaci, iu qasën mikut tonë, kreatorit të lirisë sonë kombëtare, Bill Clintonit”, ka theksuar Bojaj për “Kosova Sot Online”. 

Image
Ramiz Bojaj

Mirëpo këtë të vërtetë, sipas Bojajt, qytetarët e shpërfaqën hapur duke shfrytëzuar manifestimin për të treguar se ata janë të pa kënaqur me qeveritarët, e sidomos me kreun e shtetit i cili pa hezitim është nisur në rrugë të gabuar duke pazare për territore me Serbinë në dëm të Kosovës.

“Fishkëllimat e qytetarëve kundër presidentit Thaçi, ishin reagim realist, sinjal se ky njeri që i solli kaq shumë mjerim këtij shteti e këtij populli, nuk mund të vazhdojë më me sundimin e tij. Clinton, Ollbright dhe e gjithë masa e pa haptas se Thaçi është i padëshirueshëm për udhëheqjen e Kosovës, i cili, tashmë shihet qartë se është përfaqësues i interesave të Serbisë këtu, e jo një udhëheqës kredibil e i përgjegjshëm qe duhet ta ketë Kosova. Populli tashmë e ka kuptuar qëllimin dhe misionin politik qe ka Thaçi”, ka thënë Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Ai ka shtuar se askush nuk mund ta mohojë faktin tani se si u varfërua Kosova nën pushtetin e Hashim Thaçit me shokë, si u vodh, u shkatërrua dhe u zvogëlua, ku tashmë është në zgripin e ndarjes me Serbinë.

“Populli është i tronditur nga unifikimi i politikës së Hashim Thaçit, Edi Ramës e Aleksandër Vuqiçit për ndarjen e Kosovës. Me veprimet e tilla vrasëse për lirinë dhe shtetin e Kosovës, Hashimi ka mbyllur me turp misionin e tij politik, duke u pozicionuar në anën e armikut”, ka deklaruar analisti Bojaj për “Kosova Sot Online”. 

“Plani i Vuqiçit është projekt i Millosheviqit, i mbetur peng për 20 vjet më radhë, përderisa 'kurorën' e kësaj nisme e mori përsipër të realizojë Hashim Thaçi i trimëruar edhe nga kumbara i Serbisë, Edvin Rama me Baton Stanishiqët, Blerim Latifët, Enver Hoxhët e me çetën e vogël të shitur për pak poste e para. Populli nuk është nënshtruar, por është në vlugun e mos durimit ndaj oligarkëve mercenarë. Kushdo që cenon shtetin e Kosovës, lirinë dhe tërësinë territoriale të këtij vendi, do të ndëshkohet rëndë nga qytetarët, të cilët dinë e guxojnë ta mbrojnë fitoren e tyre të arritur me shumë sakrificë e gjak”, ka përfunduar për “Kosova Sot Online”, analisti politik, Ramiz Bojaj.

(Kosova Sot Online)