Ish agjenti i SHIK-ut alarmon rëndë për qendrën ruse: Ja aksionet e saj në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni...

  • 17 June 2019 - 13:12
Ish agjenti i SHIK-ut alarmon rëndë për qendrën ruse: Ja aksionet e saj në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni...

Njohësi i fushës së sigurisë në vend dhe ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, thotë se institucionet e sigurisë në Kosovë duhet ta marrin seriozisht dhe të mos e injorojnë paralajmërimin që erdhi së fundi nga ish gjenerali i forcave ushtarake të NATO-s, Wesley Clark, i cili tregoi rrezikun që vjen nga Rusia, gjegjësisht nga qendra humanitare ruse në qytetin serb të Nishit.

Miftari tha se është shumë çart se qendra ruse në Nish është qendër e agjencisë sekrete Ruse, FSB dhe degës tepër sekrete Ruse për destabilizime rajonale GRU. Prandaj, sipas tij, kundërveprimi duhet të jetë i organizuar me shumë vëmendje dhe kujdes. 

Image
Naim Miftari

Miftari thotë se dy ndërhyrje serioze për destabilizim të shteteve në rajon janë koordinuar nga kjo qendër, ato në Mal të Zi dhe në Maqedoni.

“Është një mashtrim i maskuar kinse si qendër humanitare edhe pse vet shteti Rus ka nevojë vetë për ndihma humanitare për disa pjesë të Rusisë. Kjo qendër që ka uniformë të veta të terrenit, vetura të zjarrfikësve, auto ambulanca, xhipa gjysmë ushtarak deri te helikopteri, kjo tregon qartë se nga aty koordinohen operacionet sekrete në Ballkan, dhe dihet fare mirë se po nga kjo qendër është tentuar grushtet në Mal të Zi që të rrëzohej qeveria legjitime pro perëndimore malazeze dhe sjellja e një qeveris serbo ruse. Po ashtu nga kjo qendër dhe nga aty u tentua ndezja e konfliktit ndër etnik në Maqedoni, u tentua të futen maqedonët në luftë kundër shqiptarëve”, tha Miftari për “Kosova Sot Online”.

Më tej, ai thotë se tek rasti në Maqedoni, sulmi në parlamentin e Shkupit me tentimin e vrasjes së Zijadin Selës, ishte i dirigjuar dhe i paguar drejtpërdrejtë nga shërbimi sekret ruso-serb.

Po ashtu sipas Miftarit, ndikimi dhe veprimi i kësaj qendre është evidentuar me fakte edhe në Shqipëri. 

“Ishin edhe arrestimet e grupeve kinse humanitare dhe gazetarëve rus në Shqipëri dhe Kosovë zbulim i rrjetit të kësaj agjenture, dhe krejt kjo tregon qartë se territori i Kosovës dhe Shqipërisë është në fushë veprim të inteligjencës ruso serbe. Edhe takimet e Hashim Thaçit para disa vjetësh në Varna të Bullgarisë me njerëz të Lukoilit Rus nuk ishin të rastësishme siq nuk ishte i rastësishëm takimi e presidentit tonë me kryeministrin rus Medvendevin dhe servilizmi i Thaçit në takim ndaj Vlladimir Putinit. Krejt këto gjëra tregojnë qartë se Rusët nuk flenë në Ballkan dhe kanë interesa strategjike. Edhe ajo kakarisja kokorizja ruse me Milorad Dodikin e Republikës Srpska, e sidomos trajnimi dhe armatimi i policisë serbe nga instruktorët ushtarak Rus tregon shumë qartë se inteligjenca Ruse ka bërë teren të gjerë për veprimet e tyre në minimin e stabilitetit dhe për tensionimin e Ballkanit”, përfundoi Miftari për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)