Kërkohet burgim: Ja dëshmitë për shkatërrimin e PTK-së përmes Z-Mobile

  • 18 June 2019 - 15:50
Kërkohet burgim: Ja dëshmitë për shkatërrimin e PTK-së përmes Z-Mobile

”Njerëzit përgjegjës po flasin aty prandaj unë me të vërtetë nuk e di se edhe çka i duhet tjetër Prokurorisë Speciale, për të ndërhyrë dhe për ta shpallur të pa vlefshme këtë kontratë kriminale të lidhur mes Z-Mobile dhe PTK-së nga strukturat e inkriminuara dhe për të mos lejuar tutje vazhdimin e saj, e për ta kthyer gjendjen në pikën zero dhe ndëshkimin e fajtorëve të këtij skandali”, tha Bislim Aliu për “Kosova Sot Online”.

Gjatë intervistimit të fundit para komisionit për skandalet në PTK, ish kryetari i Bordit, Rexhë Gjonbalaj, ka thënë se sipas palës së Telekomit, në kontratë nuk ka pasur të parashikuar shërbime 3G dhe 4G për Z-Mobile prandaj edhe vendimi në arbitrazh ishte i montuar për ta shkatërruar Telekomin.

“Sipas anës tonë, nuk ka pasur shërbime 3G dhe 4G të parashikuara në kontratë, e vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit ishte dënim për mos ofrim të këtyre shërbimeve dhe ofrimin e sim-kartelave sa herë kërkohet, e jo vetëm 100 mijë”, ka deklaruar Gjonbalaj para komisionit hetimor.

Image
Bislim Aliu

E lidhur me këtë, për “Kosova Sot Online” ka folur analisti politik, Bislim Aliu. Ai thotë se aty janë zbardhur akoma më shumë fakte për të vërtetën e skenarit kriminal për shkatërrimin e Telekomit të Kosovës nga Devollët, nëpërmes kontratës me Z-Mobile.

Aliu thotë se që tani prokuroria e ka elemente të mjaftueshme veprimi dhe ndërhyrje për ta shuar atë kontratë kriminale dhe për të arrestuar të gjithë ata që u bënë pjesë e kësaj loje shkatërrimtare për Telekomin.

“U pa mjaft mirë se si gjatë intervistimit të fundit, para komisionit, ish-kryetari i Bordit Rexhë Gjonbalaj tregoj për dallaveret që janë bërë me kontratën për Z- Mobile në kohën kur ai ishte në detyrë por edhe për ato që kishte njohuri të tjera. Ai madje e tha fare qartë se PTK-së ia kanë bërë të pa drejtë pasi që sipas palës së Telekomit, në kontratë nuk ka pasur të parashikuar fare shërbime 3G dhe 4G për Z-Mobile. Prandaj edhe vendimi në arbitrazh, kur ishte fokusuar në mos ofrimin e këtyre shërbimeve për Z- Mobile ishte i montuar vetëm për ta shkatërruar Telekomin”, tha Bislim Aliu për “Kosova Sot Online”. 

Më tej, ai thotë se edhe për aq sa ai ka njohuri profesionale, derisa nuk ka pasur të parashikuara me kontratë shërbime 3G dhe 4G, e vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit nuk duhet fare të merret në konsideratë, duhet të hidhet poshtë si i tillë nga gjykatat vendore.

Përndryshe, Aliu është shprehur se që të ketë një epilog të drejtë zgjidhja e kësaj çështje, duhet ta merr në administrim çështjen Prokuroria e Kosovës që ta hetoje dhe ta përgatitë akuzën në mënyrë që përgjegjësitë të mos amnistohen, por të dënohen. 

“Duhet të kihen parash të gjitha këto dëshmi që po jepen para këtij komisioni. Njerëzit përgjegjës po flasin aty prandaj unë me të vërtetë nuk e di se edhe çka i duhet tjetër Prokurorisë Speciale, për të ndërhyrë dhe për ta shpallur të pa vlefshme këtë kontratë kriminale të lidhur mes Z-Mobile dhe PTK-së nga strukturat e inkriminuara dhe për të mos lejuar tutje vazhdimin e saj, e për ta kthyer gjendjen në pikën zero dhe ndëshkimin e fajtorëve të këtij skandali. Një drejtësi e pa varur dhe profesionale do të kishte vepruar më energjikisht dhe pa aspak hamendje në këtë rast”, përfundoi Aliu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)