Akuza e rëndë: Edi Rama po shkatërron Shqipërinë, paralajmërohet edhe Kosova

  • 19 June 2019 - 07:43
Akuza e rëndë: Edi Rama po shkatërron Shqipërinë, paralajmërohet edhe Kosova

“Në Kosovë policia dhe prokuroria as që guxojnë të merren me këto skema kriminale, pasi që realisht edhe ata vetë janë pjesë e veprimeve të tilla kundërligjore”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

Analisti politik, Gani Qarri, e ka komentuar vazhdimin e aferës së zbulimit të përgjimeve nga gazetari gjerman i gazetës “Bild”, sipas të cilave dalin në shesh infiltrimet direkt në blerje votash nga ana zyrtarëve më të lartë të shtetit, përfshirë këtu edhe kryeministrin aktual Edi Rama.

Image

Sipas Qarrit, kjo aferë tregon më së miri se si Shqipëria nën sundimin e Edvin Kristaq Ramës është futur në kaos total duke u kthyer në republikë të drogës

“Vend i mafias, klaneve kriminale dhe Kolumbi të Evropës, ku sipas gazetës gjermane "Bild", blerja e votave, jo vetëm se është shndërruar në normalitet, por po shfaq kërcënim edhe për gjithë Ballkanin perëndimor, për të marr me vete edhe shtetin e ri të Kosovës. Edvin Kristaq Rama me bandat e tij, më tepër se për cilindo tjetër, është bërë kërcënim serioz për shqiptarët, brenda dhe jashtë Shqipërisë, i cili përveç krimit elektoral të zgjedhjeve farsë në Shqipëri, me strategjinë që po ndjek qysh nga dita e ardhjes në krye të qeverisë , ai po shkatërron të tashmen dhe të ardhmen e të gjithë shqiptarëve kudo”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

Analisti Qarri thotë se e vërteta e paralajmëruar nga gazetari gjerman doli pa vonesë në shesh, pasi që gazetari i Bild-it, Peter Tiede, së fundmi ka publikuar të tjera përgjime, të cilat dëshmojnë blerjen e votës, në zgjedhjet e vitit 2017, përfshi edhe një bisedë të përgjuar të vet kryeministrit Edvin Kristaq Rama, për nxitjen e blerjes së votave me para, shantazh dhe kërcënime gjatë procesit në zgjedhjet e Dibrës.

“Akoma më i rëndë bëhet ky kat kriminal, sipas Gani Qarrit derisa këto përgjime tregojnë se si kriminelë, zyrtarë të policisë dhe zyrtarë të lartë të qeverisë socialiste, duke përfshirë kryeministrin Edi Rama, ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, ministra dhe figura të larta të qeverisë socialiste janë përfshirë publikisht në blerjen e votave, gjatë zgjedhjeve jo vetëm në Dibër por kudo tjetër në Shqipëri”.

Sipas Qarrit, duke qenë në afërsi me Shqipërinë dhe duke marr përvojat kriminale të njëri-tjetrit, nuk mundë të përjashtohet fakti që të tilla vepra kriminale të kenë ndodhur edhe në Kosovë, por është pikëpyetje nëse do të zbardhen ndonjëherë dhe të zbulohen kriminelët e shpërdorimit të votës së lirë qytetare.

“Ndaj kjo është edhe një dëshmi e qartë se si funksionon skema kriminale e blerjes së votave, dhe jo vetëm, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Në Kosovë policia dhe prokuroria as që guxojnë të çirren me këto skema kriminale, pasi që realisht edhe ata vetë janë pjesë e veprimeve të tilla kundërligjore”, tha Qarri për "Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)