Këta janë zyrtarët me aktakuza, të liruar nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli

  • 19 June 2019 - 18:36
Këta janë zyrtarët me aktakuza, të liruar nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka larguar sot nga të gjitha pozitat partiake dhe institucionale të gjithë zyrtarët e PDK-së që kanë aktakuza të konfirmuara nga institucionet e drejtësisë.

Me këtë vendim të kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, sot janë liruar nga detyra ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, zëvendësministri i FSK-së, Agim Çeku dhe Nijazi Kryeziu, të cilët janë në procese gjyqësore.

“Duke treguar përkushtimin tim dhe vizionin si Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, kam vendosur që: Të emëruarit politikë nga radhët e PDK-së në institucionet publike të Kosovës, të cilët kanë aktakuza që ndërlidhen me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion, ose nepotizëm, t’i lirojnë funksionet menjëherë”, ka thënë Veseli.

Dy ditë më parë, lideri i PDK-së Kadri Veseli, në Konventën festive të Partisë Demokratike të Kosovës, pati paralajmëruar se nuk do të lejojë që asnjë person me aktakuza për korrupsion të mbajnë pozita në Partinë Demokratike të Kosovës dhe në institucionet që udhëhiqen prej saj. Kreu i PDK-së po ashtu ka konfirmuar se partia që drejton nuk do të kandidojë e as nuk do të mbështesë kandidatët e asnjë subjekti politik që kanë aktakuza të konfirmuara.

Veseli po ashtu ka liruar nga detyra edhe të gjithë të zgjedhurit brenda strukturave drejtuese të PDK-së që kanë aktakuza të konfirmuara dhe ky pezullim i funksioneve të tyre siç tha ai, vlen deri në aktgjykime.

“Ky vendim nuk e paragjykon fajësinë e tyre dhe me përfundimin e gjykimeve, kur ato janë liruese, të gjithë këta persona do të kenë vendin e merituar në PDK dhe në institucione. Prandaj, unë kam biseduar me zyrtarët tanë partiakë që kanë aktakuza dhe i kam njoftuar ata për lirimin nga detyrat zyrtare që kanë mbajtur”, ka thënë Veseli. 

(Kosova Sot Online)