Besim Beqajt i ngrihet buzëqeshja, detyrohet të japë dorëheqje nga posti i ministrit

  • 20 June 2019 - 11:27
Besim Beqajt i ngrihet buzëqeshja, detyrohet të japë dorëheqje nga posti i ministrit

Vendimi i djeshëm i Kadri Veselit për të larguar nga pozitat partiake dhe institucionale të gjithë zyrtarët e PDK’së që kanë aktakuza të konfirmuara nga institucionet e drejtësisë në Kosovë, ka bërë që ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, të ofrojë dorëheqjen e tij tek kryeministri, Ramush Haradinaj.

Edhe pse ka ofruar dorëheqjen, Beqaj thotë se aktakuza ndaj tij është e pabazuar.

“Në mëngjes kam paraqitur dorëheqjen tek kryeministri. Unë jam i bindur se aktakuzat janë të pabazuara. Unë premtoj se do të lirohem nga aktakuzat sepse nuk ka bazë për aktakuza. Akuza është me të meta, për sukseset e mia unë jam krenar. Jam i bindur se nuk kam bërë shkelje të ligjit. Epilogu do të vjen shpejtë”, ka thënë Beqaj në një konferencë për media. 

Ndër të tjera Beqaj ka thënë se do të vazhdojë të jetë pjesë e PDK’së dhe të kontribuoj në këtë parti.

“Unë do të jem pjesë e PDK”së, sepse jam kontribuues i kësaj partie”, është shprehur ai.

Besim Beqaj është pjesë e aktakuzës së ngritur për rastin “PRONTO”, nën dyshimet për veprën penale të “Shkeljes së statutit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.

Këtë aktakuzë ë ka ngritur Prokuroria Themelore e Prishtinës bazuar në nenin 193, paragrafi 4, ndërlidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

(Kosova Sot Online)