Drecun: Nëse Kosova fut Amerikën në lojë, ne kërkojmë Rusinë e Kinën në dialog

  • 21 June 2019 - 12:24
Drecun: Nëse Kosova fut Amerikën në lojë, ne kërkojmë Rusinë e Kinën në dialog

Kreu i të ashtuquajturit Komitet për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun, ka thënë se nëse nuk ka ndonjë progres nga pala kosovare, atëherë Samiti i Parisit ka rrezik që të mos mbahet.

Këto deklarata ai i ka bërë në një intervistë në Pink tv, duke kërkuar që Kosova të heq taksën, për të vazhduar dialogu.

“Shqiptarët nuk janë të interesuar të vazhdojnë dialogun. Është e qartë që nuk mund të ketë marrëveshje, nëse nuk hiqet taksa”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për përfshirjen në dialog të SHBA-ve, duke thënë se në rast se Kosova e fut në lojë Amerikën, atëherë Serbia do të kërkojë ndërhyrjen e Rusisë dhe Kinës në këto bisedime.

“Megjithatë Palmer ka thënë që BE-ja duhet të drejtojë Prishtinën dhe Beogradin drejt marrëveshjes, duke e bërë të qartë që gjithçka tjetër mund të jetë një ndihmesë shtesë”, ka thënë ndër të tjera ai.

Në fund ai ka thënë se gjithçka është e hapur, dhe e vetmja pengesë është vendosja e taksës.

(Kosova Sot Online)