Thaçi si Vuciçi: Kosova përgjegjëse për dështimin e Parisit, dialogun dhe mungesën e vizave

  • 22 June 2019 - 15:05
Thaçi si Vuciçi: Kosova përgjegjëse për dështimin e Parisit, dialogun dhe mungesën e vizave

Presidenti Hashim Thaçi i ka bërë përgjegjëse institucionet e Kosovës pse po dështon Samiti i Parisit, pse s’ka dialog me Serbinë dhe pse kosovarët s’po lëvizin pa viza.

Nuk ka përmendur emra, por, ka thënë se veprimet e pakoordinuara të Kosovës kanë dëmtuar raportet me ndërkombëtarët.

“Vendimet dhe veprimet e nxituara, të pakoordinuara dhe të gabuara strategjikisht të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, kanë dëmtuar rëndë respektin dhe mbështetjen e partnerëve tanë perëndimorë për Kosovën. Si rrjedhojë, partnerët tanë ndërkombëtarë, fatkeqësisht sot e mbajnë Kosovën përgjegjëse për bllokimin e dialogut, për dështimin e takimit të paraparë në Paris dhe për prolongimin e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë”, ka shkruar Thaçi, në një reagim në Fb.

Megjithëkëtë, ai ka thënë se Kosova po bëhet përgjegjëse nga ndërkombëtarët edhe për dështimet e Samiteve, atij të Berlinit dhe të Parisit.

“Dështimi i procesit të filluar në Berlin dhe anulimi i Samitit të Parisit, duhet të jetë moment reflektimi për akterët vendorë dhe faktorët ndërkombëtarë udhëheqës dhe mbështetës të procesit të dialogut për normalizim dhe pajtim mes shteteve dhe popujve tanë. Ngërçi në dialog dhe anulimi i Samitit të Parisit për të dy vendet, Kosovën dhe Serbinë, shënon hap prapa për të ardhmen evropiane. Prandaj, i bëj thirrje BE-së dhe SHBA-së që të mos i ndalin përpjekjet e tyre për rifillimin e dialogut dhe arritjen e marrëveshjes paqësore”, ka shtuar ai.

(Kosova Sot Online)