Memli Krasniqi ia ndihmon Palit, thotë se nuk e ka krijuar monopolin e Devollëve

  • 25 June 2019 - 15:18
Memli Krasniqi ia ndihmon Palit, thotë se nuk e ka krijuar monopolin e Devollëve

Në Komisionin Për Zhvillim Ekonomik po diskutohet për çështjen e monopolit të homologimit në Kosovë, ku po raporton minstri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, pas gjithë vërejtjeve që janë bërë nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Deputeti i PDK’së, Memli Krasniqi i cili është edhe pjesë e këtij komisioni, e ka pranuar se në një formë ka monopol, por thotë se një gjë e tillë nuk është bërë me ligj. Ai i ka thënë ministrit Lekaj se me udhëzimin administrativ për homologimin, nuk ka krijuar monopol, por vetëm e ka vështirësuar konkurrencën.

Përveç tjerash Krasniqi thotë se një temë e tillë po bëhet më shumë për politikë, se sa për të gjetë një zgjidhje.

“Mirë që Apostolova po na bën bashkë për homologimin. Por kjo temë është për me u politizu, akuzu e etiketu. Dhe jo shumë për me gjet naj zgjedhje. As ky takim nuk është me ofru naj zgjidhje”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi i ka thënë ministrit Lekaj se duhet të shfrytëzojë autoritetin e tij, që të ndryshojë rregulloren, në mënyrë që automjetet e reja që vijnë të certifikuara nga Bashkimi Evropian, të mos i nënshtrohen edhe një herë homologimit dhe kontrollimit teknik në Kosovë.

“Certifikatat e komoformitetit që i lshojnë shtetet e BE-së në frymën e Marrëveshjes së Satbilizimit, duhet me i pranu me automatizëm. Ju duhet ta bëni këtë, sepse ju jeni autoriteti”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ndër të tjera ka thënë se ligji për automjetet është ligj i keq, dhe se duhet ndërruar menjëherë. 

“Ligji për automjetet është ligj i keq. Po ashtu është e vërtet që ai ligj u bë vitin e kaluar”, ka shtuar ai.

Megjithatë Krasniqi thotë se ministri Lekaj duhet të krijojë kushte për hapje të tregut, pasi sipas deputetit sipas ligjit në Kosovë nuk ka monopol sa i përket tregut të homologimit.

“Mendoj që për homologim duhet të kemi konkurrencë të plotë. Legalisht nuk ka monopol. Ligji e parasheh hapjen e tregut. Nuk është pamundësuar konkurrenca, por është vështirësuar”, ka thënë Krasniqi.

Ai i ka thënë ministrit Lekaj që me udhëzimin administrativ që e ka bërë, nuk ka krijuar monopol, por e ka vështirësuar konkurrencën.

“Po ashtu edhe me udhëzimin administrativ që t’ka ra hise ty me e bo. P.sh  qaj 85 %, e ka vështirësua. Ju duhet të krijoni hapësirë, për të zgjeruar konkurrencën”, është shprehur Krasniqi.

(Kosova Sot Online)