Në Bjellorusi për Thaçin s’kishte vend në lozhën e shefave të shteteve

  • 25 June 2019 - 16:48
Në Bjellorusi për Thaçin s’kishte vend në lozhën e shefave të shteteve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, javën e kaluar kishte udhëtuar për në Bejllorusi, ku kishte marrë pjesë në hapjen e Lojërave Evropiane “Minsk 2019”. Megjithatë për të nuk ishte rezervuar një vend në zonën VIP ku ishte caktuar të ulen krerët e shteteve tjera, pasi që aty kishte të përfaqësues shtetesh që vazhdojnë të mos e njohin Kosovën si shtet. Nikoqiri, Presidenti bjellorus Aleksander Lukashenko kishte rezervuar vende për Kryeministrin rus, Dmitry Medvedev e edhe për Millorad Dodikun e Republika Srpska.

Afër Presidentit të Bjellorusisë ishte planifikuar të ulej edhe kreu i Serbisë, Aleksander Vuçiq, por ai nuk kishte pranuar që të merrte pjesë në hapje te ceremonisë pasi aty kanë parakaluar atletët e Kosovës që e kanë valëvitur flamurin e Republikës së Kosovës.

Një refuzim i tillë nga Vuçiq për të marrë pjesë në hapjen e ceremonisë së lojërave e ka mërzitur jashtëzakonisht shumë presidentit e Bjellorusisë, Aleksander Lukashenkon. Këtë gazetarëve ua ka thënë vetë presidenti serb Vuçiq, shkruan Belsat.

Vuçiq thotë se Lukashenko e kishte përjetuar shumë rëndë faktin që Vuçiq kishte vendosur të mos merrte pjesë në ceremoninë hapëse, pasi që për organizimin e lojërave olimpike ishte kujdesur jashtëzakonisht shumë.

“E kisha shumë të vështirë për t’i treguar, se nuk do të marr pjesë në ceremoninë, sepse ai e kishte punuar shumë për të aranzhuar çdo gjë. Ai e kishte thirrur kryeministrin rus, Medvedevin që ishte ulur pranë tij. Unë ishte planifikuar të ulesha në anën tjetër, që ishte një privilegj për mua. Ai më tha se nuk do të shkonte në stadium pa mua. Ishte e vështirë ta shihja një njeri të tillë të fortë që ishte shumë afër të qaj, kur i thash se nuk mund të merrnim pjesë në ceremoni”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se këtë veprim e ka  marrë si presidenti i Serbisë, dhe se nuk ka pasur ndonjë përplasje me Lukashenkon.

Në këto lojëra në Bjellorusi ka marrë pjesë edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Ndërsa atletet e Kosovës, xhudistët Majlinda Kelmendi e Loriana Kuka janë kthyer në Kosovë me medalje olimpike. Thaçi edhe në tetor të vitit të kaluar kishte udhëtuar në Bjellorusi në një konferencë që e kishte organizuar diplomati gjerman Wolfgang Ischinger. Nuk dihet se me çfarë dokumenti ka udhëtuar Presidenti Thaçi atje. Dihet se ai është i pajisur edhe me pasaportë të Shqipërisë por nuk dihet nëse e ka përdorë atë.

(Kosova Sot Online)