Ky është reagimi i Hashim Thaçit pas vendimit të Kushtetueses

  • 27 June 2019 - 18:18
Ky është reagimi i Hashim Thaçit pas vendimit të Kushtetueses

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka shkruar se liderët politik të të gjitha subjekvete duhet të jenë të bashkuar në procesin e dialogut për arritjen e marrëveshjes paqësore me Serbinë.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese  ku qartësohet se Ekipi Shtetëror për bisedimet me Serbinë, është anti-kushtetues presidenti ka thënë se askush i vetëm nuk mund ta marr barrën e zgjidhjes së një konflikti shekullor prandaj “gjithmonë kam apelut për unitet politik në këtë proces të rëndësishëm”.

Postimi i plotë:

Republika e Kosovës ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë e përkushtuar për forcimin e paqes dhe stabilitetit përmes dialogut dhe rrugës evropiane, me mbështetjen e SHBA-së dhe gjithë partnerëve tanë. Kushtetuta e Republikës së Kosovës është udhërrëfyesi ynë në çdo hap drejt forcimit të shtetësisë sonë dhe drejt integrimit euroatlantik të shtetit tonë.

Por, askush i vetëm nuk mund ta marrë barrën e zgjidhjes së një konflikti shekullor me Serbinë, prandaj gjithmonë kam apeluar për unitet politik në këtë proces shumë të rëndësishëm për vendin dhe qytetarët tanë. Kosova, shtet i pavarur dhe i integruar në BE, NATO dhe OKB, në paqe dhe me fqinjësi të mirë, është obligim i ynë për gjeneratat e reja, të cilat nuk duhet të rriten me urrejtje ndëretnike dhe me ngarkesa çfarë kemi pasur ne. E kemi fituar luftën dhe duhet ta fitojmë edhe paqen për qytetarët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në shoqërinë tonë shumetnike.

Si president i vendit, e vlerësoj shumë vullnetin politik dhe përgjegjshmërinë individuale të kryesuesve të Ekipit Negociator, të cilët kur Kosova ka vluar nga debatet shterpe politike, kanë qenë në gjendje të dalin përtej tyre dhe të marrin përgjegjësi shtetërore. Në përputhje me Kushtetutën dhe vullnetin politik, udhëheqësit e institucioneve, liderët politikë të të gjitha subjekteve, duhet të jenë të bashkuar në procesin e dialogut për arritjen e marrëveshjes paqësore, e cila hap perspektiven e integrimit të Kosovës dhe i jep fund izolimit dhe stagnimit! HTH

(Kosova Sot Online)