Albin Kurti pyet: E kush do t’i homologojë homologuesit?

  • 28 June 2019 - 09:47
Albin Kurti pyet: E kush do t’i homologojë homologuesit?

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar sërish për çështjen e homologimit të veturave në Kosovë.

Përmes një shkrimi në rrjetet sociale, Kurti ka pyetur: Kush do t’i homologojë homologuesit?

Ai ka përmendur disa raste që kanë ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e që kanë të bëjnë me këtë temë.

Në fund të shkrimit, kreu i VV-së, ka thënë se “Homologuesit duhet t’i homologojë shteti i së drejtës, kundër monopoleve në ekonomi, kundër korrupsionit në institucione, kundër dorëzimit të shtetit te privatët”.

Kuvendi i Kosovës, sot do të mbaje seancë për çështjen e homologimit.

Shkrimi i plotë:

Kush do t’i homologojë homologuesit?

Ashtu sikurse që Glass Steagall Act nga viti 1933 në ShBA i ndante investimet nga bankat komerciale, në Kosovë sot kemi nevojë për ndarjen e qeverisjes publike nga tajkunët privatë. Sepse tashmë nuk kemi vetëm korrupsion në institucione, por edhe institucione në korrupsion.

Shteti i korporatës shpie në fashizëm. Këtë e kemi parë në Gjermani e Itali midis dy luftërave botërore. Ish Presidenti i ShBA-ve, Franklin Delano Roosevelt, në porosinë që ia dërgon Kongresit të ShBA-ve më 29 prill 1938 thotë: “Liria e demokracisë nuk është e sigurt nëse njerëzit e tolerojnë rritjen e pushtetit deri në pikën ku ai bëhet më i fortë sesa vetë shteti demokratik. Kjo, në esencë, është fashizëm – pronësi e qeverisë nga një individ, nga një grup apo nga cilado fuqi private kontrolluese”.

John Ralston Saul thekson tri qëllime të lëvizjes korporatiste në vitet e ’20-ta të shekullit të kaluar në tri shtete (Gjermani, Itali dhe Francë) të cilat kaluan nëpër fashizëm: 1) të zhvendoset pushteti direkt te grupet ekonomike ose shoqërore të interesit; 2) të shtyhet iniciativa biznesore në fushat që normalisht janë të rezervuara për organet publike; 3) të shlyhen kufijtë ndërmjet interesit publik dhe privat, pra, të sfidohet ideja e interesit publik.

Homologuesit duhet t’i homologojë shteti i së drejtës, kundër monopoleve në ekonomi, kundër korrupsionit në institucione, kundër dorëzimit të shtetit te privatët.

(Kosova Sot Online)