Në punë vetëm më të ‘njohshëm’, kosovarët braktisin Kosovën

  • 01 July 2019 - 08:09
Në punë vetëm më të ‘njohshëm’, kosovarët braktisin Kosovën

“Është pothuajse e pamundur që në sektorin publik të punësohesh pa lidhje te forta me partitë politike, qoftë duke qenë anëtar i partisë ose familjare i politikaneve me ndikim. Kurse në anën tjetër njerëzit e diplomuar punojnë kamarier ose nuk punojnë fare, dhe shpëtimin e vetëm e kanë ikjen nga Kosova”, tha Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Mungesa e perspektivës së shumicës së qytetarëve për të jetuar dhe për të gjetur një vend punë në Kosovë për shkak të stagnimit të zhvillimit ekonomik të vendit, po i detyron ata që fatin e tyre ta kërkojnë jashtë vendit.

Kështu vlerëson analisti politik, Faik Krasniqi, sipas të cilit institucionet publike e shtetërore po vazhdojnë të degradohen në vazhdimësi, sepse këto institucione janë të kontrolluara tërësisht nga politika dhe në to po rehatohen vetëm militantët partiakë, madje edhe pa e përmbushur asnjë kriter pune.

Image
Faik Krasniqi

Sipas Krasniqit, duke u kapur çdo institucion nga politika nuk ka mbetur asgjë pa u politizuar, prandaj në institucionet e shtetit mund të punësohet dikush vetëm me të “njohshëm” ose me preferenca të forta politike dhe lidhje familjare, traditë kjo që sipas Krasniqit po vazhdon të jetë e instaluar që nga ditët e para të pas luftës dhe nuk ka pushuar asnjëherë deri më sot.

“Punësimi partiak dhe familjar nuk është diçka e re në Kosovë. Prej pas luftës punësimet ne sektorin publik janë bere ne këtë mënyrë nga partitë politike. Asnjë parti nuk është imun ndaj këtij fenomeni”, tha analisti politik, Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Ai thotë se çdo përpjekje për të gjetur një vend pune në institucionet publike në mënyrë të pa varur vetëm mbi bazën e përgatitjes profesionale dhe konkurs të rregullt, është diçka që nuk mundë të arrihet dhe është zhgënjyese, pasi politika i mban të rezervuara për militantët e vetë të gjitha vendet e punës.

“Është pothuajse e pamundur që në sektorin publik të punësohesh pa lidhje te forta me partitë politike, qoftë duke qenë anëtar i partisë ose familjare i politikaneve me ndikim. Kurse në anën tjetër njerëzit e diplomuar punojnë kamerier ose nuk punojnë fare, dhe shpëtimin e vetëm e kanë ikjen nga Kosova. E njëjta gjë është edhe nëpër borde, me militantë dhe familjar të tyre. S'ka institucion që nuk është i kapur nga partitë politikë, sundimtarët e shekullit 21”, përfundoi për “Kosova Sot Online”, analisti politik, Faik Krasniqi.

(Kosova Sot Online)