A po tenton Thaçi të tërhiqet nga tema e Luginës duke ua lënë deputetëve

  • 02 July 2019 - 12:17
A po tenton Thaçi të tërhiqet nga tema e Luginës duke ua lënë deputetëve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi një ditë pas dërgimit të draft-rezolutës për Luginën e Preshevës në Kuvend ka kërkuar nga deputetët që të votojnë pro, siç ka shkruar për të mos injoruar kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Përmes Facebook’ut, Thaçi derisa ka publikuar edhe draft-rezolutën, ka bërë edhe kërkesën ndaj deputetëve.

“Kjo është draft-rezoluta që ia kam dërguar për shqyrtim dhe miratim Kuvendit të Republikës së Kosovës. U bëj thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mos i injorojnë kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ne e kemi obligim që t’i mbështesim në realizimin e kërkesave të tyre”, shkroi presidenti.

Ndryshe, presidenti i Kosovës, ka dorëzuar dje një propozim Kuvendit që ka të bëjë me Luginën e Preshevës. 

Në draft-rezolutën për Luginën shkruan se janë marrë parasysh kërkesa e shqiptarëve për bashkim dhe vuajtjet e kësaj pjese nga pushteti serb. Është marrë parasysh edhe propozimi i Presidentit Thaçi.

Ashtu siç tha Presidenti, në rezolutë thuhet se jetësimi i kërkesave të banorëve të Luginës ndihmon në krijimin e një stabiliteti afatgjatë mes Kosovës dhe Serbisë.

Kuvendi dje nuk arriti ta miratojë rezolutën për shkak të mungesës së kuorumit.

(Kosova Sot Online)