A do të thotë se vizita e Eliot Engel në Preshevë nënkupton që kjo pjesë t’i bashkohet Kosovës?

  • 05 July 2019 - 07:53
A do të thotë se vizita e Eliot Engel në Preshevë nënkupton që kjo pjesë t’i bashkohet Kosovës?

Kongresisti amerikan, Eliot Engel, gjatë ditës së djeshme ka qëndruar për një vizitë zyrtare në Komunën e Preshevës.

Pas vizitës së djeshme në Beograd, ku u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe përfaqësues të tjerë serbë, kongresisti amerikan, Eliot Engel, sot ka qëndruar për vizitë zyrtare në Komunën e Preshevës.

Vizita e tij është bërë pas ftesës që i pari i Preshevës, Shqiprim Arifi ia ka bërë dje në Beograd.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, vet Arifi, i cili ka thënë se vizita e tij në Preshevë ka qenë si rezultat i takimit të djeshëm në Beograd.

Arifi ka thënë se arsyeja përse e ka ftuar kongresistin Engel në Preshevë, ka qenë që ta shoh nga afër situatën dhe të njoftohet nga afër me problemet e shqiptarëve të kësaj komune. 

Sipas Arifit, kongresisti Engel është shprehur i gatshëm që t’iu dalë në ndihmë shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Temë tjetër e këtij takimi ka qenë edhe shkëmbimi i territoreve. Sipas Arifit, kongresisti Engel, në parim nuk e ka kundërshtuar asnjë marrëveshje mes shqiptarëve dhe serbëve po që se ka dakordim mes të dyja palëve.

As përfshirja e Luginës së Preshevës në dialogun Kosovë-Serbi, nuk ka kaluar pa u përmendur në këtë takim.

Arifi ka thënë se ka kërkuar nga Engel që Amerika të jetë më prezente në Luginën e Preshevës.

“Unë kam kërkuar që Amerika të jetë edhe më prezent në Luginën e Preshevës. Mos prezenca e Amerikës nënkupton vetëm një prezencë e cila nuk është në interes perëndimor. Në këtë drejtim kemi kërkuar që Lugina e Preshevës të përfshihet në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Kërkesë të tani që dy vite e tutje që dy vite jam duke e kërkuar nga Qeveria e Shqipërisë, por konkretisht nga Qeveria e Kosovës. Ka shprehur gatishmërinë që të diskutojë rreth kësaj në takimet të cilat i ka pasur dje, por edhe sot që do t’i ketë në Kosovë”, deklaroi Airifi.

Si shenjë falënderimi Arifi ka thënë se kongresistit Engel i kanë ndarë edhe një mirënjohje.

“Kështu që në këtë drejtim ne i shprehëm falënderim dhe te vendi i lapidarit të cilin na ka heq Serbia ne i dhamë një mirënjohje ku e kemi nderuar për punën e tij dhe aktivitetit të tij për punën e shqiptarëve në përgjithësi, por në veçanti për Preshevën”, tregoi Arifi.

Engel, i cili njihet si një nga miqtë e mëdhenj të shqiptarëve dhe mbështetës i fuqishëm i zgjidhjes së çështjes së Kosovës, do të qëndrojë më vonë gjatë ditës në Prishtinë ku do të marrë pjesë në manifestimet me rastin e ditës së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara dhe përurimin e ndërtesës së ambasadës amerikane.

(Kosova Sot Online)