Ish-Ambasadori bën thirrje të dilet kundër udhëheqësve që po e degradojnë shtetin

  • 06 July 2019 - 11:14
Ish-Ambasadori bën thirrje të dilet kundër udhëheqësve që po e degradojnë shtetin

Profesori i Universitetit të Prishtinës, Sabri Kiçmari, u ka bërë thirrje intelektualëve dhe luftëtarëve të lirisë të ngrisin zërin kundër degradimit që i ka ndodh Kosovës.

E ka marrë shembullin e keq të Kryeministrit Haradinaj dhe Zëvendësit të tij, Pacolli, të cilët kanë pasur qëndrime të ndryshme për vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë.

“Kryeministri dhe Zëvendëskryeministri na bënë horë edhe në rrafsh ndërkombëtar. Njëri thumbit e tjetri potkoit në lidhje me ndalimin e hyrjes së zyrtarëve serbë. Dy qëndrime të ndryshme për një çështje aq të rëndësishme”, ka shkruar Kiçmari që ka mbajtur edhe pozitën e Ambasadorit të Kosovës në Austri e Australi. 

“Ky vend kurrë nuk ka qenë i përfaqësuar në mënyrë më të papërgjegjshme! Kosova nuk është kaq e dobët as intelektualisht dhe as politikisht, sa të bie në këtë nivel përfaqësimi. Njerëzit e mirë të këtij vendi, intelektualët dhe luftëtarët e ndershëm të lirisë, duhet të ngrisin zërin, për të mos njohur këtë gardë politike të papërgjegjshme në raport me kombin dhe shtetin tonë”, ka shkruar ai.

(Kosova Sot Online)