Borissov i kthehet polemikës me Daçiqin për Kosovën: Nuk e di çfarë ka të paqartë ai

  • 09 July 2019 - 12:30
Borissov i kthehet polemikës me Daçiqin për Kosovën: Nuk e di çfarë ka të paqartë ai

Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov, i është rikthyer përsëri polemikës me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Dacic, duke i thënë se nuk e kupton se çfarë ka të paqartë Dacic.

Në Samitin për bashkëpunim të vendeve të Evropës Juglindore, që po mbahet në Sarajevë të Bosnjës, Borissov ka thënë se për Kosovën e ka thënë atë që e mendon dhe se nuk ka asgjë të paqartë.

‘Unë nuk e di çfarë është kontroverse në qëndrimit tim për Kosovën. Unë e kam thënë atë që e mendoj, prandaj ne duhet të fillojmë diskutimet për gjërat rreth të cilave nuk pajtohemi”, ka thënë kryeministri bullgar shkruan B92.

Ai ndër të tjera ka thënë se edhe Bullgaria ka probleme më Turqinë, njejtë sikurse Kosova me Serbinë, por Borissov thotë se takohen dhe flasin për t’i zgjidhur ato për të pasur progres.

‘Dhe ne kemi çështje të hapura me Turqinë, jo vetëm Beogradi me Prishtinën, por ne ulemi, bisedojmë me përfaqësuesit e tyre, krijojmë iniciativa dhe aktivitetet të ndryshëm që janë jetike për progresin”, ka sqaruar tutje Borissov. 

Ai ka thënë se në vend se të diskutohet se çfarë kontributi do të ketë për rajonin ky organizim, po flasin për temën se pse përfaqësuesit e Prishtinës nuk po marrin pjesë në këtë Samit në Jahorina të Sarajevës.

Debatin me Ivica Daçiqin, e ka nxitur një deklaratë e Borisov, i cili i ka kërkuar kryenegociatorit të ri, Josep Borell, që karshi Kosovës të paraqesë qëndrimin e Bashkimit Evropian, dhe jo atë të Spanjës.

Kosova nuk ka pranuar të marrë pjesë në këtë Samit të organizuar nga Bosnja, ndërkohë është solidarizuar edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama duke mos udhëtuar për në Sarajevë. Megjithatë një qëndrim të tillë nuk e ka përfillur presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili po merr pjesë atje, dhe i ka kërkuar Bosnjes që të pranojë Kosovën si shtet të pavarur.

(Kosova Sot Online)