Haradinaj: Shteti serb përgjegjës që nuk po zbardhet vrasja e vëllezërve Bytyqi

  • 09 July 2019 - 13:01
Haradinaj: Shteti serb përgjegjës që nuk po zbardhet vrasja e vëllezërve Bytyqi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se shteti serb është përgjegjës se pse edhe pas 20 vjetësh nuk po zbardhet rasti i vrasjes së vëllezërve Bytyqi.

Haradinaj thotë se sakrifica e tyre për liri është pa shembull dhe se Serbia ka përgjegjësi se pse deri sot nuk janë ndëshkuar autorët e krimit.

Kreu i Qeverisë ka thënë se Kosova do të vazhdojë të kërkojë drejtësi për rastin e vrasjes së tyre. 

“Në 20-vjetorin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, Agronit, Yllit dhe Mehmetit, kujtojmë sakrificën e tyre të pashembullt për lirinë e Atdheut. Ata erdhën nga ShBA-ja për t’iu bashkuar rreshtit të mbrojtësve të kësaj toke dhe thelbi i rënies së tyre shpalosë dimensionin e vërtetë të luftës sonë çlirimtare. Ekzekutimi i tyre pa gjyq dhe drejtësia e munguar e mbanë fajtor edhe sot shtetin serb për mosndëshkimin e krimit. Duke u përkulur para veprës kulmore të tre Heronjve të Kosovës, Qeveria e vendit zotohet se nuk do të ndalet së vepruari për vendosjen e drejtësisë.”, ka thënë Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Drejtësi për vëllezërit Bytyqi ka kërkuar edhe kongresmeni amerikan, Eliot Engel, i cili para pak ditësh ka qëndruar për një vizitë në Beograd. Engel këtë ia ka kërkuar në takim presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq./GazetaExpress/