Taksa ndaj Serbisë, vjen denoncimi i rëndë nga eksperti i ekonomisë: Ky është rreziku...

  • 10 July 2019 - 08:05
Taksa ndaj Serbisë, vjen denoncimi i rëndë nga eksperti i ekonomisë: Ky është rreziku...

“Pikëpyetje e madhe për mendimin tim shtrohet se a mos është me të vërtetë Dogana e korruptuar apo është dikush prej pushtetarëve i blerë prej biznesmenëve që importojnë- kontrabandojnë mallra nga Serbia dhe po e mbushin tregun e Kosovës”, tha Grapci për “Kosova Sot Online”.

Eksperti i fushës së ekonomisë, Dardan Grapci duke analizuar gjithë rrjedhën e zhvillimit të tregtisë në Kosovë, që nga vendosja e taksës ndaj prodhimeve me origjinë serbe nga autoritetet e shtetit të Kosovës, ka konstatuar se tanimë po kontrabandohen mallrat serbe në Kosovë në përmasa akoma më alarmante.

Sipas tij, këtë e dëshmon më së miri prania gjithandej në marketet kosovare e mallrave serbe, e të cilat korridorin kryesor të kalimit e kanë veriun e Kosovës.

Image
Dardan Grapci

Sipas Grapcit, ky korridor është thuajse i pa kontrolluar nga autoritetet e shtetit të Kosovës, sepse tanimë edhe serbët lokal furnizohen që andej pasi kanë refuzuar ndihmën nga Qeveria e Kosovës.

“Po natyrisht që tani ka kohë që po kontrabandohen mallrat serbe në Kosovë, edhe pas vënies së taksës 100%. Një çështje që mbetet për tu analizuar dhe hetuar është se si këto mallra po arrijnë të hyjnë, kush po i lejon aq lehtë që të depërtojnë kontrabanduesit me mallra në Kosovë?. Pikëpyetje e madhe për mendimin tim shtrohet se a mos është me të vërtetë dogana e korruptuar apo është dikush prej pushtetarëve i blerë prej biznesmenëve që importojnë- kontrabandojnë mallra nga Serbia dhe po e mbushin tregun e Kosovës”, tha Grapci për “Kosova Sot Online”.

Sipas Grapcit edhe kontrolli i brishtë kufitar në veri të Kosovës, nuk është lënë rastësisht, pasi aty zhvillohet krejt kjo kontrabandë me mallrat që po e vërshojnë Kosovën.

Sipas Grapcit një veprimtari e tillë mund të eliminohet lehtë, por duket që politika ka hile dhe gisht në këtë marifet.

“Mitrovica Veriore do të duhej të ishte mirë që të merret nën kontroll të përqendruar special të Qeverisë së Kosovës, të kontrollohet e vëzhgohet cep më cep 100%, e jo që të ju lejohet strukturave të shtetit serb që të përzihen në këto punë sepse nuk guxojmë të harrojmë që Mitrovica Veriore i takon Kosovës e jo Serbisë prandaj 100% duhet të jetë nën kontrollin e shtuar të institucioneve të shtetit të Kosovës”, theksoi Grapci për “Kosova Sot Online”.

Përndryshe sipas Grapcit, ka rrezik që të devalvohet tërësisht ana pozitive e vendosjes së kësaj takse që është i vetmi veprim i qëlluar i kryeministrit Haradinaj.

“Taksa e venë nga Qeveria Haradinaj është me vend, por unë mendoj që është dashur që ta forcoj edhe sigurinë nëpër pikat kufitare me Serbinë, dhe në ato vende ku nuk ka kalime legale zyrtare por dihen se ka edhe kalime ilegale, për të cilat është e informuar edhe a Qeveria e Kosovës, dhe jo vetëm të bllokohen mallrat në pikat e kalimit zyrtar në Dogana, e kjo të lihet vetëm me kaq”, tha Grapci për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)