Zbulohet ‘çelësi’ që i jep fund monopolit të Devollëve në homologimin e veturave

  • 14 July 2019 - 08:18
Zbulohet ‘çelësi’ që i jep fund monopolit të Devollëve në homologimin e veturave

“Vetëm protestat e fuqishme popullore dhe bllokimi i dyerve para selisë së inkriminuar të homologmit të Shkëlqim Devollit, do të detyronin pushtetarët që të reflektojnë pozitivisht në heqjen e përshpejtuar të monopolit në homologim, dhe jo vetëm”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Qeveria e Kosovës, sipas deklarimeve të deritanishme qoftë nga kryeministri, por edhe nga Ministria e Infrastrukturës nuk e ka ndërmend të brengoset shumë karshi kërkesave të vazhdueshme për t’i dhënë fund monopolit në homologimin e automjeteve të cilin e mbajnë të rezervuar vetëm për Devollët.

E një peticion i organizuar nga qytetarët është duke vazhduar të mbledh nënshkrimet për t’ia dorëzuar qeverisë kërkesën e heqjes së këtij monopoli, dhe deri më tani ai është nënshkruar nga më shumë se 9 mijë qytetar, por ky presion akoma nuk i bënë përshtypje qeverisë së Kosovës.

Poashtu për t’i dhënë fund këtij monopoli ka pasur kërkesa edhe nga ambasadori gjerman, amerikan, Oda Amerikane dhe Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, por qeveria po e zvarritë vendimmarrjen duke thënë se do ta shqyrtojnë heqjen e monopolit të homologimit, por kjo do të ndodhë brenda 6 muajsh.

Image
Florim Zeqa

Analisti politik, Florim Zeqa konsideron se përcaktimi i këtij kufiri të afatit nga ana e qeverisë mund të ketë për paramendim qëllimin që fare të mos përmbushet ky premtim, për shkak se zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme priten në muajin tetor dhe monopoli të vazhdojë edhe me qeverinë tjetër pas zgjedhjeve të reja.

“Prolongimi i paarsyeshëm i heqjes së monopolit kriminal dhe të kundërligjshëm në fushën e homologimit të automjeteve përmes procedurave të stërzgjatura burokratike, flet qartë për mosgatishmërinë e qeverisë dhe kësaj legjislature për t'u përballur me "Devolli Company", rreth të cilës janë të përfshirë deputet dhe qeveritar, parti politike pushtetarë dhe opozitarë të cilët nuk dëshirojnë të përbuzin grazhdin nga i cili ushqehen çdo ditë, ku sa prej të cilëve përfitojnë edhe miliona. Kusarëve politikë nuk ju intereson fare interesi e aq më pak vullneti i qytetarëve”, deklaroi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Ai ka thënë se qeveria po bëhet sikur fare nuk ka reagim qytetar, edhe pse deri më tani raportohet se janë mbi 9 mijë qytetarë që kanë nënshkruar peticionin përmes të cilit synohet që t’i jepet fund monopolit të Devollëve në homologim dhe obligimit në tërësi, peticion ky që po mbështetet me deklaratë edhe nga ambasadori gjerman dhe ai amerikan, Oda Amerikane dhe Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Ndryshe analisti Zeqa, thotë se përgjegjësi për këtë lojë të qeverisë mban edhe Kuvendi i Kosovës, deputetët të cilët zhvilluan një debat shterpë dhe miratuan një rezolutë jo obligative.

Tani sipas tij, qeveria i ka duart e lira për të manipuluar me afatet kohore që po i premton.

“Rezoluta jo obligative e Kuvendit dhe deklaratat e qeverisë se kinse brenda 6 muajve do ta shqyrtojnë heqjen e monopolit në homologim, përveçse të pa sinqerta, janë përfitim në kohë dhe ruajtje e miqësisë me Devollët, për shkak se zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme që priten në muajin tetor, çështjen e homologimit do ta bartin tek qeveria tjetër, gjegjësisht do të ndodhë stërzgjatja e vjedhjes kriminale të qytetarëve”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Prandaj ai çështjen e zgjidhjes së kësaj nyje që po lidhet e ngatërrohet nga politika, e sheh vetëm tek eskalimi në masë i pakënaqësisë qytetare.

“Në këtë rast, vetëm presioni i madh i qytetarëve mund të detyrojë Qeverinë e Kosovës të përshpejtojë procedurat e vendimmarrjes për heqjen e këtij monopoli kriminal, i cili po rëndon jetën e qytetarëve duke mbushur llogaritë e Devollëve dhe xhepat e pushtetarëve. Vetëm protestat e fuqishme popullore dhe bllokimi i drerëve para selisë së inkriminuar të homologmit të Shkëlqim Devollit, do të detyronin pushtetarët që të reflektojnë pozitivisht në heqjen e përshpejtuar të monopolit në homologim, dhe jo vetëm”, përfundoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)