Vjen akuza e rëndë: Kështu po mashtrohen kosovarët nga Kadri Veseli e Abelard Tahiri

  • 16 July 2019 - 14:28
Vjen akuza e rëndë: Kështu po mashtrohen kosovarët nga Kadri Veseli e Abelard Tahiri

“Vettingu s’mund të bëhet në rrethana të tilla në Kosovë. Kush ta bëj Vettingun..? Të korruptuarit dhe banditët..!? Sikurse në Shqipëri që Vettingu po tentohet të bëhet nga të korruptuarit, hajnat dhe gangsterët! Këtë në Kosovë nuk do të duhej ta lejonte kurrsesi faktori ndërkombëtar që po deklarohet për shtet të së drejtës dhe të sundimit të ligjit, model të shteteve të zhvilluara demokratike”, tha Krasniqi.

Analisti politik, Faik Krasniqi i ka cilësuar përpjekje krejtësisht të kota deklarimet shpeshtuara së fundi nga Kadri Veseli, kryetar i PDK-së dhe nga Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri për sundimin e ligjit.

Sipas Krasniqit, qëllimi i tyre nuk është gjë tjetër veç se për ta mashtruar fillimisht qytetarin e zhgënjyer nga politika e korruptuar, e pastaj edhe faktorin ndërkombëtar, se kinse ata nuk do të lejojnë në të ardhmen të përfshihen në institucione njerëzit e korruptuar dhe se nuk do të lejojnë të mbajnë pozita të larta zyrtarët me aktakuza të ngritura dhe të dyshuar për krim e korrupsion, ngase kjo çështje është bërë njollë e zezë e politikës dhe institucioneve kosovare.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi vlerëson se kjo fushatë e Kadri Veselit dhe Abelard Tahirit, shkon përtej një kamuflazhë perfide, në mënyrë që ta lënë akoma më gjatë në harresë ligjin Vetting, për të cilin është zotuar madje së fundi edhe vetë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

“Këto projekte djallëzore e mashtruese të figurave që përfaqësojnë një nga subjektet politike më të përfshira në korrupsion e krim të organizuar, nuk do të mundë ta mashtrojnë as opinionin e brendshëm dhe as atë ndërkombëtar. Bashkësia ndërkombëtare nuk mashtrohen lehtë nga politikanët tanë kur tentojnë t'i gënjejnë ata me fushata e improvizime të tilla”, tha Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Krasniqit, ata mund edhe t’i mbyllin sytë ndonjëherë kur kanë interes për politikat e tyre strategjike derisa të arrijnë në cakun që synojnë, por jo gjithmonë të heshtin dhe tolerojnë skena të tilla teatrale.

“Prandaj herët a vonë do ta thonë fjalën e tyre për pastrimin e plotë të politikës dhe drejtësisë nga rrjetet kriminale, sikur që vepruan edhe në shtetin amë të shqiptarëve, në Shqipëri. Ata mundë të "mashtrohen" ose "gënjehen" për diçka kur atyre ju leverdis, por jo kur këta tentojnë t'i mashtrojnë. Ata janë një hap përpara për gjëra të tilla”, tha Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Krasniqit, çështja duhet dhe do të hapet vetëm pas ndryshimeve pozitive që do të ndodhin në skenën politike, në mënyrë që këtë proces ta udhëheq një klasë më e pastër politike dhe jo ata që vetë janë të përfshirë në krim dhe korrupsion. 

“Prandaj faktori ndërkombëtar nuk nxiton dhe nuk i merr me aq seriozitet as deklaratat e politikanëve të korruptuar që shkojnë pro ligjit të Vetingut. Vettingu s’mund të bëhet në rrethana të tilla në Kosovë. Kush ta bëj Vettingun..? Të korruptuarit dhe banditët..!? Sikurse në Shqipëri që Vettingu po tentohet të bëhet nga të korruptuarit, hajnat dhe gangsterët! Këtë në Kosovë nuk do të duhej ta lejonte kurrsesi faktori ndërkombëtar që po deklarohet për shtet të së drejtës dhe të sundimit të ligjit, model të shteteve të zhvilluara demokratike”, përfundoi Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)