U akuzua për darka luksoze me miq, jep dorëheqje ministri

  • 16 July 2019 - 15:58
U akuzua për darka luksoze me miq, jep dorëheqje ministri

Ministri francez i mjedisit, François de Rugy, ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij për shkak të raportimeve se ka organizuar darka luksoze me gaforre dhe verëra të shtrenjta, të cilat janë paguar me paratë e taksapaguesve francezë. Këto darka ishin shtruar në kohën kur ai shërbente si kryetar i parlamentit.

Zyrtari i lartë i qeverisë franceze deklaroi përmes faqes së tij në Facebook se ia ka dorëzuar letrën e dorëheqjes kryeministrit Edouard Philippe.

Ai ka qenë objekt i kritikave të ashpra prej kohës kur faqja hulumtuese “Mediapart” raportoi se ai ka shtruar darka luksoze për miqtë e tij në rezidencën shtetërore në një ndërtesë historike të Parisit në kohën kur ishte kryetar i dhomës së ulët të kuvendit.

Sipas kësaj faqeje të internetit, darkat shtroheshin për rrethin e ngushtë shoqëror të ministrit dhe organizoheshin nga bashkëshortja e tij, e cila është gazetare në revistën “Gala”. Raportohet se në këto darka ftoheshin 10 deri 30 mysafirë.

Në menunë e ushqimeve kishte guaca, shampanja dhe verëra të shtrenjta, të cilat kushtojnë deri 500 euro për një shishe.

Publikimi i këtij skandali po vlerësohet si shumë i dëmshëm për qeverinë franceze, sepse pikërisht De Rugy ishte udhëheqës i politikës së presidentit Macron për mbrojtje të mjedisit.

Skandali doli në pah në kohën kur qeveria është nën presion për t’i zvogëluar shpenzimet dhe humbjet e ushqimit. Qeveria gjithashtu është akuzuar se ka bërë shumë pak për t’i luftuar ndryshimet klimatike, shkruan “The Guardian”.


(Kosova Sot Online)