Fshatrat e Kamenicës i kërkojnë Thaçit, Veselit e Haradinajt të ndërhyjnë kundër mbylljes së shkollave

  • 17 July 2019 - 16:24
Fshatrat e Kamenicës i kërkojnë Thaçit, Veselit e Haradinajt të ndërhyjnë kundër mbylljes së shkollave

Në një letër të Bashkësisë Lokale të fshatit Karaçevë e Poshtme të Kamenicës që mban datën 10 korrik 2019, dërguar institucioneve më të larta të shtetit shprehin shqetësimin e tyre për mbylljen e shkollave nga Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati. Në këtë letër banorët e këtij fshati shprehen se nga shtatori i këtij viti komuna do të mbyllë 19 shkolla, e një nga to është shkolla e këtij fshati me 100 nxënës. Madje banorët kanë kërcënuar që nëse nga shtatori Kryetari i kësaj komune mbyll shkollat, atëherë do të përballet me protesta masive popullore. Kurse nga Komuna e Kamenicës për media kanë deklaruar se Kryetari i Komunës është konsultuar për riorganizimin e shkollave me Ministrin Shyqiri Bytyqi dhe ai e mbështet këtë nismë.

Bashkësia Lokale e Karaçevës së Poshtme kanë kërkuar nga Presidenti, Kryeparlamentari, Kryeministri dhe Ministria e Arsimit që nismën e Kryetarit të Komunës së Kamenicës për mbylljen e 19 shkollave ta kthejnë mbrapsht.

“Ju lusim që kjo ide e mbrapsht e Kryetarit të Komunës së Kamenicës, Qendron Kastrati të hedhet poshtë nga ju tituj të lartpërmendur dhe duke shpresuar se në shtator nuk do të lejoni mbylljen e shkollave tona, ju falënderojmë paraprakisht”.

Nga kjo Bashkësi lokale është paralajmëruar se nëse ndodhë mbyllja e shkollave në shtator, atëherë ata do të organizojnë mësimin paralel si në vitet e 90-ta.

“Si përfundim, ju paralajmërojmë se nëse vjen deri te mbyllja e 19 shkollave shqipe në shtator dhe ju nuk e parandaloni këtë veprim të mbrapsht të Kryetarit Kastrati, atëherë të jeni të sigurt se shtatori do të  shoqërohet me protesta masive popullore dhe do të kërkohet dorëheqja e parevokueshme e kryetarit Kastrati dhe ky vendim absurd i tij nuk do të përfillet nga prindërit si dhe ne do të hapim shkolla paralele, si në vitet e 90-ta”.

Image

(Kosova Sot Online)