LDK me vendim të ri befasues për Arban Abrashin e Hazir Borovcin

  • 17 July 2019 - 17:21
LDK  me vendim të ri befasues për Arban Abrashin e Hazir Borovcin

Me shumë gjasë, LDK i ka rënë pishman sa i përket vendimit për ta përjashtuar nga gara Arban Abrashin e Hazir Borovcin. Të dy këta, që lanë pezull edhe zgjedhjen e kryetarit të partisë, mund të rikthehen në kandidatura për Degën e Tretë të Prishtinës, në një mbledhje që do të mbahet nesër, e ku siç mëson media nga burime të mirë informuara do të diskutohet edhe për këtë çështje. Të njëjtën e konfirmon edhe kryetari në largim i degës së tretë, Hazir Borovci.

Lidhjes Demokratike të Kosovës, i ka mbetur vetëm edhe një degë që doli të jetë më problematikja para se të shkojë në Kuvendin e Përgjithshëm Zgjedhor.

Derisa kjo parti, mbrëmë bëri të ditur se me datë tre gusht do të zgjidhet kryetari, ende nuk e dinë se kur do të zgjidhet kreu i Degës së Tretë në Prishtinë.

Dega e Presidentit Rugova, që u përcoll me karrige e bokse, madje ia bëri sherrin edhe dy pretendentëve për të marrë udhëheqjen, Hazir Borovcit e Arban Abrashit, që u thanë të jenë shkaktar të asaj përleshje.

Me anë të një vendimi, këtyre të dyve iu pamundësua që të kandidojnë.

Media megjithatë nga burime brenda kryesisë së kësaj partie ka marrë vesh se arsyeja se pse u shtynë kaq gjatë zgjedhjet në këtë degë është sepse ekziston mundësia që ky vendim të hidhet poshtë. Një gjë e tillë mund të ndodhë hiç më larg se nesër në një mbledhje që do të bëhet me strukturat e LDK-së.

Kështu, brenda kësaj jave do të finalizohet edhe lista me kryetarë të degëve.

Në një bisedë Hazir Borovci kryetar në largim në këtë degë pranon se një vendim i tillë me shumë gjasë do të hiqet, e qëndron prapa e saj se LDK nuk ka marrë vendime të këqija, as atëherë kur ia mohuan garën. 

“Nuk ka vendim që e merr LDK kryesia është i mirë, nuk di në përvojën 30 vjeçare që LDK merr vendim të keq, ka qenë një qëndrim, kanë qenë rrethanat atëherë, tash e merr një qëndrim që lejohet kandidatura nuk besoj që ka marrë ose merr ndonjë vendim të keq. Ndryshon për të mirë sepse LDK është progresive”, po thotë Borovci.

I njejti ka folur edhe për marrëdhëniet që ka momentalisht me Arban Abrashin, me të cilin pak ditë më parë u panë në komunën e Lipjanit, ku edhe u rizgjodh kryetari i degës Imri Ahmeti.

“Marrëdhëniet i kemi qysh i kemi pas gjithmonë kanë qenë të shkëlqyeshme janë edhe tash, si me vendim si pa vendim jemi edhe tani”, shton ai.

Sa i përket asaj se a do të kandidojë për kryetar të degës, nëse hiqet vendimi, ai shton se vepron ashtu nëse vendos Kuvendi paraprakisht, e se nuk do të bjerë ndesh me statutin e partisë.

Borovci ka konfirmuar gjithashtu se nesër do të mbahet takim i strukturave të LDK-së.

Derisa të mbyllet procesi në këtë degë, madje nuk po dalin as emrat pretendentë për kryetarë. Kështu të paktën ka deklaruar sot, nënkryetari Lutfi Haziri.

“Ne ende jemi në zgjedhje, sepse Kuvendi i Prishtinës III, Bregu i Diellit, apo Dega e Presidentit siç quhet, ende nuk është mbyllë. Kështu që jemi në pozitë të njëjtë, nuk ka ndryshuar asgjë nga qëndrimi”, deklaroi sot Haziri.

Borovci e Abrashi u panë së fundmi në Lipjan e nga aty të dy bënë thirrje për unitet.

(Kosova Sot Online)