Haradinaj për liberalizimin e vizave: Kryhet para 1 janarit

  • 18 July 2019 - 20:31
Haradinaj për liberalizimin e vizave: Kryhet para 1 janarit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur përsëri optimist se liberalizimi i vizave nga ana e Bashkimit Evropian për kosovarët do të bëhet para fundit të këtij viti.

“Po flas me kompetencë të plotë. E kam çelë këtë temë me ministrin e Brendshëm të Francës, me kryeministrin. Edhe presidenti është në dijeni”, ka thënë ai.

“Kam folur me kryeministrin e Polonisë, me plot njerëz vendimmarrës. Askush nuk është kundër”, ka theksuar Haradinaj.

Shefi i ekzekutivit të vendit ka thënë se marrja e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën do të jetë çështje javësh, pas shtatorit, raporton ktv.

“Është shumë reale, tash e tutje, prej shtatorit, çdo javë mund ta marrin atë vendim”, ka deklaruar Haradinaj.

“Nuk shtyhet. Nuk e mënjanojnë më shumë. I ka ardhur koha”, është shprehur ai.

“Besoj shumë që para fundit të vitit, po. Para 1 janarit të vitit që vjen është e kryer”, ka thënë Haradinaj.

“S’ka shkaqe procedurale që e vonojnë më shumë”, ka shtuar kryeministri i vendit.


(Kosova Sot Online)